U përpoq të përmbyste rezultatin e zgjedhjeve
Donald Trump thellon rekordet mes presidentëve të Shteteve të Bashkuara. Mbi shpatullat e tij rëndon një proces i katërt penal me akuzat për përpjekje për të përmbysur në mënyrë të jashtëligjshme humbjen në garën presidenciale të 2020-ës.
Gjykata e Xhorxhias pranoi nisjen e një procesi penal ndaj presidentit të 45-të të Shteteve të Bashkuara, mbi bazën e 13 akuzave të ngritura nga prokurorja e këtij shteti federal Fani Uillis. Me akuza si pjesë e këtij procesi janë edhe 18 bashkëpuntorë të tij, ndër të cilët edhe juristi Rudi Xhuliani.
Ndaj Donald Trump-it rëndojnë akuza të tilla shkelje e ligjit kundër shantazhit, shkelje e betimit të nëpunësit publik, deklarata e shkrime të rreme dhe paraqitje dokumentesh të falsifikuara, etj. Vetë 77-vjeçari i konsideroi akuzat si të motivuara politikisht. Ato bazohen mbi të ashtuquajturin ligji “Rico” që ka në fokus pjesëtarët e organizatave kriminale mafioze. Të shpallurit fajtor mbi akuzat e këtij ligji dënohen me deri 20 vite burg. Dosja ndaj 19 të akuzuarve përban 98 faqe me 41 akuza penale në total. Afati që ata të paraqiten vullnetarisht në Gjykatë është 25 Gushti.