Ministria e Arsimit këtë vit ndau bursa për studentë, duke bërë kategorizimin e tyre. Nga lista e shpallur në faqen zyrtare të kësaj ministrie, nga 2704 bursa, janë evidentuar 264 studentë shqiptarë që kanë përfituar ato apo rreth 10 për qind. Por edhe ndarja sipas kategorive tregon numrin tejet të ulët.Në grupin e studentëve të kategorisë sociale, nga 1500 bursat e ndara, janë përzgjedhur 152 studentë shqiptarë, që do të thotë vetëm 10 për qind. Në grupin e dytë për studentët e regjistruar në studime deridiplomike të ciklit të parë prej 588 bursave, janë përzgjedhur 68 studentë shqiptarë. Ndërsa në grupin e tretë nga 616 bursa për programet studimore shkencore, bursat i kanë përfituar vetëm 44 studentë shqiptarë.
Përkundër këtyre shifrave nga Ministria e Arsimit thonë se bursat janë ndarë në mënyrë proporcionale dhe se kriter vlerësimi ka qenë suksesi i studentëve. Megjithatë këshilltari në këtë ministri, Numan Sallai thotë se mbi 20 për qind të studentëve të përkatësisë etnike shqiptare u janë ndarë bursa.‘’Ajo që thoni ju përkatësia etnike definohet në bazë të suksesit që ka studenti, por nëse bëjmë një matematikë nga ajo se që kanë konkurruar të gjithë studentët prej përkatësisë etnike shqiptare, mbi 20 % e atyre që kanë konkurruar e kanë plotësuar kushtin që është paraparë me konkurs” D.m.th 20% kanë fituar bursë? ‘’Po, prej atyre që kanë konkurruar d.m.th kanë pasur sukses të duhur, që mendojmë që është një sukses në atë rangimin që ka bë komisionin për ndarjen e bursave’’, thotë Numan Sallai.
Nga ana tjetër, profesori universitar Asllan Hamiti thekson se nga rezultatet e publikuara shihet se ka ndarje joproporcionale. Ai thotë se Ministria e arsimit duhet të marrë parasysh proporcionalitetin, sepse sipas tij, këto padrejtësi janë të njohura edhe në arsim.
‘’Ndarja e bursave tani s ’fundi për studentët është edhe një nga ndarjet jo të drejta përkatësisht nga padrejtësitë që bëhen në dëm të shqiptarëve në ndarjen e mjeteve shoqërore, përkatësisht në ndarjen e mjeteve shtetërore. Unë kujtoj se çdo herë duhet pasur parasysh të kemi një barabarësi në ndarjen e mjeteve për atë arsye se ne të gjithë jemi banorë të këtij shteti’’, thekson Asllan Hamiti.
Bursat e planifikuara do të lehtësojnë sadopak familjet por edhe kushtet e studentëve. 3300 denarë është bursa mujore për studentët e kategorisë sociale dhe atyre që studiojnë në programet shkencore, ndërsa 4400 denarë është shuma e bursës për studentët që kanë rezultate të shkëlqyeshme gjatë studimeve./tv21/