40 banda shqiptare në Gjermani/ 36 prej grupeve kriminale merren vetëm me trafik droge

Krimi i organizuar shqiptar ka hedhur rrënjë të thella edhe në Gjermani. Dyzet banda të drejtuara nga shqiptaret janë identifikuar në një raport për krimin e organizuar gjatë vitit 2021, të publikur nga Ministria Federale e Brendshme dhe Zyra Federale e Policisë Kriminale.

Raporti tregon se bandat shqiptare më së shumti janë fokusuar në trafikun e lëndëve narkotike: 36 prej tyre e kanë shitjen e kokainës, heroinës dhe hashashit si aktiviteti kryesor.

Ndërsa katër grupet e tjera janë marrë me krime tatimore, trafik ilegal të njerëzve, pastrim parash dhe krim ekonomik.

Ky raport i rendit shqiptarët të tretët pas gjermanëve dhe turqve respektivisht me 261 dhe 90 banda, për nga numri e grupimeve të dominuara nga një etni.

Në vendin e gjashtë janë kosovarët, me 20 grupe kriminale, pas rusëve dhe polakëve. Në fund të dhjetë shtetësive më të spikatura janë serbët me 14 banda.

Raporti identifikon se dëmi ekonomik i shkaktuar nga krimi i organizuar në Gjermani, në vitin 2021 ka qenë dyfish më i lartë se një vit më parë. Nga 873 milionë euro në vitin 2020 ai u rrit në 2,2 miliardë euro në vitin 2021.

Kjo shifër parasheh që të ardhurat e kriminelëve një vit më parë, kanë qenë 1,4 miliardë euro. Shumica e tyre vijnë nga tregtia e drogës dhe pastrohen edhe në Shqipëri.

Leave a Reply