Parlamentit të ardhshëm do t’i mungojnë një sërë personazhesh të cilët për vite me radhë kanë qenë protagonistë në skenën politike në vend.
Ben Blushi dhe LIBRA e tij nuk arritën dot të hynin në Parlament, edhe pse morën rreth 20 mijë vota. E për këtë, Blushi me anë të një statusi në Facebook i mori përgjegjësitë vetë.
“Kanarina nuk hyri dot në minierën e qymyrit megjithëse fluturoi”, shkroi Blushi në profilin e tij.
Sikur të mos mjaftonin emrat e papërfshirë në listat e Partisë Demokratike, jo fitues janë dhe disa figura të rëndësishme si Arben Ristani dhe Dashamir Tahiri në Vlorë, Agron Duka në Durrës, Gert Bogdani në Tiranë, Gjok Uldedaj në Shkodër, Preç Zogaj në Lezhë, Astrit Veliaj në Berat, apo Roland Bejko në Gjirokastër.
Parlamentit do t’i mungojnë dhe kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi dhe Mesila Doda. Ndërsa nga LSI bie në sy emri i Sokol Dervishajt. Edhe në listën e Partisë Socialiste janë të paktën 3 emra që me këto rezultate nuk do të jenë deputetë.
Spartak Brako dhe Milena Harito në kryeqytet dhe Safet Gjici në Kukës. Por fati i tyre do të varet nga konfigurimi i kabinetetit qeverisës të Edi Ramës dhe nëse ai do të vijojë praktikën e ndjekur për 4 vite, ku ministrat duhet të dorëzojnë mandatin e deputetit.