Një ditë përpara takimit të parë ballë për ballë me homologun rus, Vladimir Putin, Donald Trump deklaroi në Varshavë se askush nuk e di me saktësi nëse rusët kanë ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara.
Por, për kreun e Shtëpisë së Bardhë, Moska nuk ka qenë e vetmja në këtë përpjekje. Mund të ketë edhe shtete të tjera, sipas tij, që kanë tentuar ndërhyrjen në procesin zgjedhor amerikan, megjithatë Trump nuk përmendi se cilat janë ato.
“Nuk do të tregohem specifik, – u shpreh ai, – ama mendoj se mund të kenë ndërhyrë shumë njerëz. Askush nuk e thotë dot me siguri çfarë ka ndodhur”, vazhdoi shefi i Shtëpisë së Bardhë.
Zyrtarë të lartë të shërbimeve amerikane të inteligjencës kanë dalë në përfundimin se, Putin urdhëroi nisjen e një fushate kibernetike për të ndikuar në votat e muajit nëntor, me qëllimin të favorizohej Trump në përpjekjet për marrjen e Presidencës.