Hixhreti, një akt reformimi shoqëror

Reformat do të ndodhin me lejen e Allahut në BFI, edhe pse të gjithë nuk mund të jenë të guximshëm përkundër faktit që e kanë parim dhe obligim fetar që të luftojnë dhe pengojnë krimin, korrupsionin, keqpërdorimet dhe manipulimet me oponionin

Nga: Abaz Islami

 

Hixhreti, Viti i Ri i muslimanëve shënon momentin më të veçant në hstorinë e njerëzimit; nis me shpërnguljen e Muhamedit a.s nga vendlindja e tij në një qytet që do të vendos themelet e një shteti të drejt, legjislativ, human dhe larg dukurive çnjerëzore. Ky rrugëtim do të shërbejë si pikënisje e reformave të mëdha mbarënjerëzore duke filluar që nga ndryshimi bile edhe i emrit të qytetit të Jethrib-it në Medine. Kjo shpërngulje ishte dhe mbetet një moment ndryshimi, gjegjësisht, moment reforme si model i shumë koncepteve dhe çështjeve shqërore për çdo periudhë njerëzore. E themi “ndryshim” gjegjësisht ” reformë” ngase idea kryesore e kësaj lëvizje ishte që të ndryshohet koncepti i besimit, jetës, familjes, moralit më pastaj i vet shtetit. E gjithë kjo duke filluar nga besimi-bindja, nga një sistem shoqëror i çrregulluar në një sistem vlerash të ndërtuar në bazë të Kuranit, gjegjësisht, ligjit të Allahut Fuqiplotë. Shoqëria e asaj bote ishte totalisht e dezorientuar në aspektin moral, shoqëror, politik, social, fetar e kështu me radhë, andaj reformat dhe ndryshimet ishin të domosdoshme të fillojnë nga një njeri që do të jetë nga mesi i tyre, Profeti, Muhamedi a.s.

Qasja e shoqërisë arabe ndaj pushtetit, korrupsionit, krimit njerëzor (mbytnin dhe varrosnin fëmijë femra të gjalla në tokë, posedimi dhe tallja me robërit- skllevërit), menaxhimi me Qaben, injoranca, dukuritë negative, mungesa e lirisë së besimit, mostoleranca ndërshoqërore ishin arsyet kyçe dhe imediate të reformimit të tyre. Roli i Muhamedit a.s ishte i pamohueshëm në aspektin pozitiv, andaj edhe jo rasësisht paria kriminele Mekkase dëshironte që iniciativa reformiste e Muhamedit a.s të ndalet, pengohet dhe ndërpritet duke ia mundësuar atij pushtetin, pasurinë dhe jetën sipas dëshirës së tij. Kjo pari në fakt ishte e mbushur deri në fyt në krim, vendime korruptive, qeverisje klanore, akte degjeneruese të pushtetit dhe në saje të këtyre ngjarjeve mungonte iniciativa reformuese. Kjo iniciativë mungonte për shkak të mosguximit dhe shpresës së shuar të individëve të caktuar për reformim të shoqërisë në fjalë. Dhe një mungesë e tillë e paguximshme ishte ëndërr shoqërore që të lind ndonjë figurë që do të ndihmon dhe njëherit të çlironte fatin e gjithë atyre që tani më ishin të prangosur nga pushteti i krimit dhe etjes për pushtet të gjithanshëm. Dhe ky reformator do të jetë Muhamedi a.s , i zgjedhuri i Allahut Fuqiplotë që do të sakrifikojë të gjitha që i posedonte dhe me ndihmën e Zotit të realizonte misionin e tij të shenjtë mbarënjerëzor.
Muhamedi a.s. u zgjodh si model më i veçant dhe më i sigurt i bartjes së këtij procesi reformues kur tani më kishin humbur vlerat e dinjitetit njerëzor dhe dominimit të egoizmit grupor e klanor beduin. “O Pejgamber, Ne të Dërguam ty dëshmues, lajmëtar përgëzues e qortues, dhe me urdhërin e Allahut thirrës për në rrugën e Tij, dhe pishtar ndriçues” (Suretul-Ahzab, 45-46) Po ky reformator (Pejgamber) do të ofron mundësi të çrrënjosjes të gjithë asaj që po degjeneron shoqërinë, i njejti përmes thirrjes (moralit, veprës, dinjitetit, autoritetit) do të përmirëson qasjen e çdo individi për shoqërinë dhe shtetit. Ajo vepër, dinjitet dhe moral do të jenë model që do të huazohet gjithandej dhe do të hartohen kushtetuta, themelohen standarde dhe ngriten popujt. “Ju në të dërguarin e Allahut kishit shëmbëlltyrën më të mirë” (Suretul El-Ahzab, 21).
Reforma nuk është e përcaktuar vetëm në një periudhë kohore të një shoqërie të caktuar, por se për të kanë nevojë gjithnjë shoqëritë dhe popujt. Aty ku lulëzon krimi i organizuar, kriminaliteti, nepotizmi, joprofesionalizmi, gënjeshtra, vjedhja, keqpërdorimet e ndryshme kërkohet me urgjencë të merren masa për ndalimin e tyre ngase në të kundërtën shndërrohen në vlera.

Deshëm apo jo, fatkeqësisht, ato vlera do të kultivohen edhe nga shumë të tjerë që nuk kanë as guxim reformimi e as kapacitete intelektuale për të ofruar shoqërisë mundësi, gjegjësisht, ofertë parandalimi të dukurive degjeneruese që shtyejnë drejtë shkatërrimit.

Imagjinoni sot i gjithë ai mllef që po shprehet nga qytetarët musliman dhe teologëve për reforma në adresë të Sulejman Rexhepit tregon se sa pikërisht ai është në shërbim të egoizmit dhe klanit të tij. Revolta ndaj tij sidmos muajve të fundit flet hapur dhe qartë se ky institucion ka nevojë për reformim të domosdoshëm institucional. Vetë fakti i ekzistimit të paqartësive deri në momentin e nisjes së haxhilerëve për në vendet e bekuara, vendosjes së tyre, kushtet dhe kthimi i parakohshëm nga rrugëtimi për të kryer haxhin, rezultoi me dhënien e deklaratave të ashpra para mediave nga haxhilerët, por gjithsesi duke vërtetuar konceptin e Platformës së Lëvizjes NISMA për Refoma në BFI se Sulejman Rexhepi duhet sa më shpejt të largohet nga BFI. Andaj, reformat do të ndodhin me lejen e Allahut në BFI, edhe pse të gjithë nuk mund të jenë të guximshëm edhe përkundër që e kanë parim dhe obligim fetar që të luftojnë dhe pengojnë krimin, korrupcionin, keqpërdorimet dhe manipulimet me oponionin.

Leave a Reply