Drejtori për shtetet e Ballkanit Perëndimor, në Komisionin për Fqinjësi dhe Zgjerim, Jean-Eric Paquet ka përcjellë të martën në Prishtinë kërkesat e Bashkimit Evropian për Kosovën, e cila duhet të kryejë sa më parë reformën e nisur në Administratën Publike.
Kërkesat e Bashkimit Evropian u diskutuan në takimin e nivelit të lartë institucional, ku mori pjesë edhe kryeministri Isa Mustafa, nga i cili u kërkua përkushtim personal që të mbikëqyrë reformimin dhe modernizimin e Administratës Publike.
“Pjesa fundamentale e politikave të zgjerimit për Ballkanin Perëndimor është reforma e Administratës Publike. Kjo është kryer nga shumë prej kolegëve tuaj në vendet e Ballkanit Perëndimor, mirëpo ende nuk kam parë përfshirje personale në nivel kryeministri në Kosovë. Mendoj se, në Kosovë ka një ndërlidhje të drejtpërdrejtë të reformës së Administratës Publike dhe ekonomisë, pasi nëpërmjet kësaj reforme ju ndihmoni një zhvillim më të mirë ekonomik”, tha Jean-Eric Paquet, drejtor në Komisionin për Fqinjësi dhe Zgjerim.
Kryeministri Isa Mustafa u zotua se, qeveria që ai drejton do ta bëjë reformën e Administratës Publike sipas standardeve evropiane. Ai tha se do të punojnë edhe në depolitizimin e administratës, duke krijuar më shumë mundësi për profesionistët.
“Objektivi themelor i yni është, që ne ta depolitizojmë tërësisht Administratën Publike. Prandaj, do të ishte i pakuptimtë punësimi i mëtejshëm mbi preferencat politike, sepse ne duhet që edhe punësimin e tanishëm, në njëfarë forme ta zhveshim nga ndikimi politik. Do të bëjmë përpjekje maksimale, që profesionalizmin, përgjegjësinë në punë dhe performancën t’i kemi si kritere themelore dhe kurrsesi preferencën politike”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.
Kryeministri kosovar tha se, deri në shtator, Qeveria do të procedojë në Kuvend të gjitha ligjet, që kanë të bëjnë me nëpunësit civilë dhe pagat e të gjitha niveleve në sektorin publik. Ndërsa sa i takon shtimit të kapaciteteve në sektorin e auditimit dhe në pjesët ku kërkohet financim më i madh, Mustafa tha se nevojitet kohë deri në fund të vitit.