Maqedoni, zgjedhje të reja deri në prill 2016. Hahn arrin paktin me udhëheqësit politikë

Udhëheqësit e partive kryesore në Shkup kanë arritur marrëveshjen për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoni, deri në muajin prill të vitit të ardhshëm.

Këtë e ka bërë të ditur Komisioneri europian për Zgjerimin, Johanes Hahn, pas negociatave disa orëshe për zgjidhjen e krizës, që zhvilloi në Shkup me udhëheqësit politikë.

Ai tha se, periudha deri në mbajtjen e zgjedhjeve do të shfrytëzohet për të pastruar listën zgjedhore, me qëllim që procesi zgjedhor të mund të zhvillohet në atmosferë demokratike.

Komisioneri europian foli para medieve, i shoqëruar nga krerët e 4 partive kryesore në Maqedoni. Ai tha se në takimin e radhës, që do të mbahet javën e ardhshme në Bruksel, pritet të finalizohet marrëveshja për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni.

Komisioneri Hahn nuk saktësoi se kush do ta drejtojë vendin deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Nga opozita maqedonase presin që, në takimin e 10 qershorit në Bruksel, palët të bien dakord për të formuar një qeveri tranzicioni, në të kundërt ata nuk do të pajtoheshin, që zgjedhjet të organizohen nga qeveria e drejtuar nga kryeministri Gruevski.

Leave a Reply