Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në Komisionin Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut, Elvana Shala, në një konferencë për shtyp të mbajtur pas vizitës së djeshme në Kumanovë, deklaroi se gjendja atje dhe ato çfarë ka dëgjuar së bashku me anëtarë të tjerë të huaj të këtij komisioni, kanë qenë me të vërtetë të tmerrshme për një vend të Europës së shekullit të 21-të.
“Kemi vizituar disa familje, ndër to edhe familjen e Fehmi Ramadanit, i cili na dha rrëfimet më të fuqishme për të gjitha ngjarjet e ndodhura për dy ditë rresht në Kumanovë.
Ata treguan qartë se çfarë kishin përjetuar, tmerrin, që ndoshta me shumë fjalë mund të quaj atë që ne e përjetuam 15 vite më herët. Kumanova ndodhet në një situatë që sot më së shumti duhet vëzhguar dhe më së shumti duhet të mbështetet jo vetëm nga komisionet botërore për të drejtat e njeriut, por nga secili prej nesh.
Ne u munduam dje që të marrim disa histori, të cilat do të na hyjnë në punë si komision për të drejtat e njeriut, mirëpo duke e pasur parasysh që për të pasur një iniciativë konkrete nuk është e mjaftueshme vetëm një vizitë njëditore në gjithë atë ngjarje, në gjithë atë tragjedi që ne pamë”, tha Shala.
Sipas saj, populli shqiptar i Kumanovës po diskriminohet shumë dhe ajo me kolegët e saj do të angazhohen maksimalisht që të punojnë sa më shumë në drejtim të respektimit të të drejtave të barabarta.