Kandidati fitues për Bashkinë e Tiranës, Erjon Veliaj, në deklaratën e parë publike pas zgjedhjeve të 21 qershorit, e ka cilësuar si spektakolare fitoren e ASHE-së në kryeqytet dhe në mbarë vendin.
“Kjo është një ditë jashtëzakonisht e rëndësishme për mua dhe ASHE, pasi na kanë ngarkuar me përgjegjësinë e ndryshimit të madh e historik të Tiranës”, ka deklaruar Veliaj.
Ai është shprehur se, nëse dikush ishte dyshues për efektet e reformës së re administrative, apo ishte cinik për qytetarinë e këtij vendi dhe demokracinë e tij, “sot ka një përgjigje: qytetarët dolën masivisht në votime dhe i dhanë fitoren ASHE-së”.
“Kjo fitore në 46 nga 61 bashki të vendit është më mbresëlënësja e viteve të fundit nga socialistët dhe progresistët. Me këtë fitore shumica e shqiptarëve vendosi ta çojë Shqipërinë në drejtimin e duhur, ndaj për këtë jemi mirënjohës dhe të përulur”, ka vijuar Veliaj.
Një mirënjohje të veçantë kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës ua ka shprehur aktivistëve të PS, të LSI, PDIU dhe partive të tjera, “që i trajtuan zgjedhjet si një garë të përbashkët për ASHE-në”.
“Falenderoj nga zemra kryeministrin Rama dhe kryetarin e Kuvendit, Meta për mbështetjen dhe inkurajimin konstant për këtë fitore të aleancës sonë”, ka thënë Veliaj, për të falenderuar mes të tjerësh edhe Pandeli Majkon, Saimir Tahirin, etj.
Në fund, nuk ka munguar një vlerësim edhe për rivalin Halim Kosova, që sipas Veliajt u bë shembull i një fushate larg konflikteve politike, si dhe për kandidatët e pavarur, Gjergj Bojaxhi, Sazan Guri, etj.
“Atyre që nuk na kanë votuar u them se respektoj vendimin tuaj dhe zotohem se do të jem kryeshërbëtori i të gjithëve”, ka shtuar Veliaj.