Shqipëria është vendi i parë në rajon që nis hapat për krijimin e bursës së energjisë, pas liberalizimit të tregut në 2018-n. Për këtë, qeveria shqiptare po asistohet nga qeveria norvegjeze por edhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë, si Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë.
“Shqipëria nuk ka treg të energjisë. Siç e dini, ka qenë një treg tërësisht shtetëror, i subvencionuar apo i varur nga shteti dhe që shkon përkundër trendit të zhvillimeve ndërkombëtare, që është hapja e tregjeve, sepse vetëm hapja e tregjeve dhe liberalizimi i tyre do të garantojë investimet”, deklaroi ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri.
Ambasadori i Norvegjisë në Tiranë, duke rrëfyer eksperiencën norvegjeze, e cila pas krijimit të tregut të brendshëm u zgjerua drejt vendeve të tjera nordike, tha se liberalizimi i tregut shqiptar mund të shërbejë për krijimin në të ardhmen të tregut rajonal.
“Ne kemi një vizion përtej kësaj dhe këtë e ndajmë me qeverinë tuaj dhe qeverinë e Republikës së Kosovës, për një treg rajonal të energjisë. Pra, ky është hapi i parë dhe vendimtar, e nëse niset me këmbën e mbarë, e që jam i sigurtë që kështu do të ndodhë, do ta shohim këtë treg të zhvillohet më tej. Kjo do të përforcojë dhe konsolidojë pozicionin e Shqipërisë si një fuqi energjetike në jug të Europës”, deklaroi Jan Braathu.
Qeveria thotë se brenda vitit 2020 Shqipëria përfundon të gjitha lidhjet e interkonjeksionit me vendet fqinje dhe përmirëson infrastrukturën e brendshme energjitike.
Liberalizimi i tregut nis me konsumatorët e lidhur në tensionin e mesëm, të cilët dalin nga sistemi aktual i tarifës së rregulluar nga shteti deri në vitin 2018, çka do t’u mundësojë të zgjedhin furnizuesin mbi baza tregu dhe të lehtësojë barrën e KESH.