Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se Presidenti Barack Obama ka telefonuar Presidentin rus, Valdimir Putin, për ta falënderuar për rolin që luajti në marrëveshjen me Iranin.
“Presidenti falënderoi Presidentin Putin për rolin e rëndësishëm të Rusisë në arritjen e kësaj marrëveshjeje historike, që shënon përfundimin e negociatave 20-mujore”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.
Obama dhe Putin kanë rënë dakord që të jenë në kontakt të vazhdueshëm, në mënyrë që të kenë nën vëzhgim Iranin, nëse po zbaton marrëveshjen se jo.
Gjithashtu, të dy liderët kanë thënë se do të punojnë së bashku për të ulur tensionet në Lindjen e Mesme, sidomos në Siri.
Ndërkohë, Presidenti Obama ka mbrojtur marrëveshjen me Iranin edhe para gazetarëve në një takim në Shtëpinë e Bardhë, duke thënë se nuk kishte zgjidhje tjetër, përpos luftës.
Sipas tij, marrëveshja e bën botën një vend më të sigurtë, ndërsa për ata të cilët e kundërshtojnë marrëveshjen, ka thënë se nuk ka dëgjuar nga të njëjtit të paraqesin një alternativ më të mirë.