Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka kritikuar ashpër gjuhën e kryeministrit Ramush Haradinaj, që pas dorëheqjes dhe letrës publike, e kishte quajtur hajn dhe pishpirik prokurorin Elez Blakaj.
Sipas Krasniqit, krerët e shtetit duhet të jenë më të kujdesshëm me komunikimin publik.
Ai e ka përmendur edhe deklaratën e Haradinajt se “dikush që ka qëndruar në Bllacë s’mund të tregojë sa luftëtarë ishin në Kosovë”.
“Liria dhe pavarësia e Kosovës sigurisht që është me bazë te UÇK-ja, por të gjithë duhet ta dinë se ndërhyrja e ndërkombëtarëve ka ardhur jo për shkak të luftës së UÇK-së me Serbinë, por për shkak se Serbia ka bërë diversion mbi popullsinë civile duke shkatërruar pronën e duke detyruar njerëzit të dalin nga shtëpitë e tyre”, ka thënë Krasniqi në KTV.
“Duhet ta dimë që ndërhyrja ndërkombëtare më shumë është vepër e qytetarëve që kanë ikur me trena e në gjithfarë mënyre si rezultat i luftës. U jemi mirënjohës të gjithë atyre që kanë rënë, por duhet t’u jemi të gjithë qytetarëve që kanë jetuar në trojet e tyre”, ka shtuar Krasniqi.
Sa i përket numrit të ushtarëve, ish-zëdhënësi i UÇK-së ka deklaruar se numri nuk ishte më i madh se 13 mijë.