Posti i zv.drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë vazhdon të jetë i zbrazët që nga data 3 gusht e vitit 2018. Kjo si pasojë e shkeljes së ligjit nga kryeministri dhe presidenti, të cilët edhe përkundër obligimit që kanë, nuk kanë bërë asgjë për ta zgjedhur zv.drejtorin e ri. Në rast të respektimit të Ligjit për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, ai post do të duhej të plotësohej me datë 3 shtator 2018, shkruan Gazeta Express.
Me 3 gusht të vitit 2018, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj kishin marrë vendim që ta shkarkonin nga detyra zëvendësdrejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Latif Merovcin.
Ndërkohë në vend të tij nuk është emëruar ende askush edhe përkundër faktit që ligji e specifikon saktë që ai post duhet të plotësohet brenda një afati kohor prej 20 dite pune, që nga momenti kur mbetet i lirë.
Sipas ligjit NR. 03/L-063 për AKI-në, Neni 6, pika 6.3, thuhet se “Presidenti i Republikës së Kosovës së bashku me Kryeministrin, emërojnë zëvendës Drejtorin e AKI-së brenda njëzet (20) ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë”, raporton Gazeta Express.
Lidhur me shkeljen e afateve ligjore nga kryeministri, Gazeta Express ka provuar që të kontaktojë zyrën e kryeministrit, por ka qenë e pamundur që të merret një përgjigje.
Njëjtë ka ndodhur edhe me zyrën e presidencës, asnjëri nga numrat që gjenden në web-faqen e presidencës nuk janë përgjigjur.
E kontaktuar nga Gazeta Express, zv.kryetarja e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së, Ganimete Musliu, nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se nuk di asgjë lidhur me këtë çështje.
“Komisioni Parlamentar ende nuk ka marrë ndonjë informacion zyrtar lidhur me emërimin e zv. Drejtorit te AKI- së”, ka thënë Musliu.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, në një përgjigje për Gazetën Express thotë se vonesa për plotësimin e kësaj pozite mund të vijë si pasojë e pazareve politike.
“Fatkeqësisht tanimë është bërë praktikë që pozitat të rëndësishme ne institucionet kryesore të Republikës se Kosovës, ku kërkohet ekspertizë, profesionalizëm, paanshmëri dhe integritet të jenë pjese e pazareve politike, dhe të caktohen persona te dëgjueshëm. Në çdo shtet është e rëndësisë së veçantë të plotësohen pozitat që luajnë rol në sigurinë e qytetarëve të Kosovës dhe në rastin konkret edhe në sigurinë kombëtare. Sikurse në vende ku zbatohet parimi i meritës, pozita të tilla duhet të plotësohen nga personeli profesional brenda AKI”, ka thënë Miftaraj.
Sipas tij kjo shkelje ligjore nga presidenti dhe kryeministri përçon një mesazh pasigurie tek qytetarët dhe tek shtetet që Kosova bashkëpunon.
“Shkelja e afateve ligjore në mos caktimin e zv.drejtorit përçon pasiguri te qytetarët por edhe të shtetet mike me të cilat Kosova bashkëpunon dhe ndanë informata me interes” ka shtuar ai për Gazetën Express.
Miftaraj thotë kjo tregon për mungesë totale të përgjegjësisë nga ana e Qeverisë dhe Presidencës, dhe sipas tij për këtë Komisioni për Mbikëqyrjen e AKI-së do të duhej të kërkojë llogari për këtë shkelje ligjore.
“Sigurisht në një vend si Kosova ku ka mungesë totale të llogaridhënies, përgjegjësisë dhe integritetit të institucioneve si Qeveria dhe Presidenca edhe kjo mund të kaloj në heshtje, përderisa komisioni përkatës i Kuvendit të Kosovës do të duhej të kërkon te llogari”, ka përfunduar Miftaraj.