“Shqipëria është një vend i sigurtë ku aleanca do të investojë kapacitetet e saj. Investimi i NATO-s në Kuçovë është i rëndësishëm jo vetëm për sigurinë kombëtare, por edhe për atë rajonale. Brenda pak muajsh do të jetë gati masterplani nga Agjencia e NATO për Prokurimet dhe Mbështetjen”, u shpreh ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka. Kurse Gjenerali i NATO, Tod Wolters tha se baza ajrore në Kuçovë do të jetë një inovacion dhe do të ketë shtim të kapaciteteve.
Gjatë pritjes së komandantit të Forcave të Ajrore, në qiellin e Tiranës kryen një fluturim demonstrativ 5 avionë të NATO-s. Vet Gjenerali Tod Wolters tha se ky demonstrim ishte për të përshendetur kontributin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. “Unë do të flas për Shqipërinë në lidhje me Kuçovën. Kemi një fushë të pozicionuar në një vend shumë strategjik. Ka kushte atmosferike shumë të mira ku edhe mund të ulen shumë lehtësisht avionët,”- tha gjenerali.
Në fjalën e tij, ai vlerësoi rolin dhe kontributin e Shqipërisë në NATO
“Zonja ministre, është nder të jem në praninë tuaj. Jemi të emocionuar që t’ju kemi ju partnerë në NATO. 10 vjet më parë kombi juaj u bë pjesë e aleancës. Do të vazhdojmë me përmirësimin e infrastrukturës. Forcat e armatosura shqiptare i japin një investim të fuqishëm NATO-s. Paqja që transmetoni ju është e mrekullueshmë për aleancën. Privilegj absolut që avionët e NATO-s të nderonin përkushtimin tuaj. Mezi presim të vazhdojmë bashkëpunimin me ju,” – u shpreh gjenerali i NATO-s.