Joaquín Archivaldo Guzmán Loera, i njohur si “El Chapo”, është shpallur fajtor për trafikim droge nga juria e një gjykate në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe tani pritet të kalojë pjesën e mbetur të jetës në një burg të sigurisë së lartë në SHBA.
Pas më shumë se 30 orë, juria e përbërë nga 12 persona, 8 gra dhe 4 burra, u tërhoq për të marrë vendimin ndaj bosit të kartelit meksikan Sinaloa.
61-vjeçari Guzmán akuzohej me 10 akuza si përfshirje në grup kriminal, pastrim parash të drogës, trafik ndërkombëtar kokaine, heroinë, marijuanë dhe drogë të tjera, si dhe përdorim i armëve të zjarrit.
Ai u shpall fajtor për të gjtha akuzat dhe tani rrezikohen të dënohet me burgim të përjetshëm.
Gjyqi ndaj El Chapo zgjati rreth 2 muaj e gjysmë me mbi 200 orë dëshmi nga 56 dëshmitarë, pjesa më e madhe trafikantë dhe bashkëpunëtorë të penduar.
Në gjyq u paraqitën edhe prova si fotografi dhe telefonata të përgjuara.
E pranishme në sallën e gjyqit për të parë vulosjen e fatit të El Chapo ishte edhe bashkëshortja e tij, Emma Coronel Aispuro.
El Chapo në një moment gjatë gjyqit u kthye nga ajo dhe i buzëqeshi.
29-vjeçarja i ktheu buzëqeshjen dhe vendosi dorën e saj mbi zemër.
Pala mbrojtëse i mohoi akuzat duke thënë se El Chapo ishte futut në kurth, dhe se lideri i vërtetë i kartelit Sinaloa ishte dikush tjetër.