Mega-operacioni/ Bashkëpunimi italo-shqiptar, ndalohen 27 persona

Policia italiane në bashkëpunim me palën shqiptare kanë goditur katër grupe kriminale në të dyja anët e Adriatikut duke arrestuar deri tani 27 persona në disa qytete. Mes të arrestuarve, sipas mediave italiane janë 21 shqiptarë dhe 6 italianë. Nga 21 shqiptarët e arrestuar, në Vlorë janë prangosur 6 prej tyre, të cilët janë; Luka Beqiraj, Bilbil Kabello, Arbnor Hoxhaj, Denis Pashaj, Kujtim Elmazi dhe Kristian Llanaj.

Në Itali operacioni është zhvilluar në Calabri, Toscana, Emilia Romagna, Sicili dhe Lombardi, ndërsa në Shqipëri operacioni po vijon në qytetin e Vlorës dhe rrethinat e tij. Hetimet kanë zgjatur dy vite. Personat e arrestuar janë të akuzuar për krijimin e organizatave kriminale në trafikun ndërkombëtar të drogës, armëve dhe municioneve nga Shqipëria në Itali dhe vende të tjera.

Grupet kriminale bazën e kishin në Lecce. Në operacion u angazhuan mbi 100 efektivë. Operacioni është finalizuar pak ditë pas vizitës në Shqipëri të prokurorit të Antimafias italiane Federico Cafiero De Raho.

Ky është operacioni i parë i finalizuar me arrestime nga skuadra e përbashkët investigative italo shqiptare, ndërsa në orën 11:30 policia shqiptare do të ketë një konferencë shtypi ku do të njoftojë edhe detajet. Ndërkohë që përmes telekonferencës do të flasin nga Italia dhe prokurori i Antimafias italiane Federico Cafiero De Raho.

Leave a Reply