“Mirëmëngjes! Dobërdan! I am Greg Delawie”. Oficeri i shërbimit të jashtëm amerikan, Greg Delawie është ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, që pritet të nisë punën zyrtarisht këtë muaj.
Ambasada e SHBA-ve publikoi një videonjoftim të ambasadorit Delawie, i nominuar në muajin mars në këtë detyrë nga Presidenti Barack Obama. Në videon njëminutëshe, ai thotë se ndihet i nderuar që do të shërbejë në Kosovë, duke u vënë një theks të veçantë gjatë këtij videoprezantimi të shkurtër, marrëdhënieve të mira mes dy shteteve dhe dy popujve.
“Gjithmonë kam besuar në vlerën e marrëdhënieve mes popujve, jo vetëm mes qeverive. Vazhdimi dhe ndërtimi i lidhjeve të tilla me Kosovën, demokracinë më të re në Europë, do të jetë një prej prioriteteve kryesore të mia. Familja ime dhe unë presim të studiojmë traditat e Kosovës dhe bukuritë e saj natyrore, si dhe të shijojmë ‘macchiaton’ e Kosovës, për të cilën thuhet se është më e mira në botë”, tha Greg Delawie, ambasadori i ri amerikan në Prishtinë.
Ky është posti i parë si ambasador për diplomatin Greg Delawie, ndërkohë që karriera e hershme e tij numëron pozicione të ndryshme në Turqi, Gjermani, Itali, padyshim dhe në Uashington.
Para se të nominohej ambasador në Kosovë, ai ka shërbyer si zëvendësshef i misionit në Ambasadën e SHBA-ve në Berlin. Delawie ka shërbyer gjithashtu si zëvendëshef i misionit në Ambasadën e SHBA-ve në Zagreb të Kroacisë.
Diplomati Delawie vjen në Kosovë në një kohë, kur shteti më i ri në Europë ka probleme me sundimin e ligjit, çështjet e sigurisë dhe mungesë të zhvillimit ekonomik. Këto janë edhe tri çështjet kryesore, për të cilat ambasadori i ri amerikan do të angazhohet me Qeverinë e Kosovës.