Maqedoni, takim Reka-Thaçi: Shqipëria mbështet marrëveshjen për zgjidhjen e krizës

Shqipëria mbështet fuqimisht zbatimin e plotë të marrëveshjes për zgjidhjen e krizës dhe integrimin e Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Kështu është shprehur ambasadori shqiptar në Shkup, Fatos Reka, gjatë një takimi që realizoi të martën në Tetovë me kreun e Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, ku bashkëbiseduesit kanë folur për situatën aktuale në Maqedoni.

Sipas njoftimit të partisë opozitare, lideri i PDSH-së ka shprehur dyshimin e tij për sinqeritetin e 3 partive, që do të përbëjnë qeverinë kalimtare, për zbatimin e reformave që rrjedhin nga marrëveshja e 2 qershorit.

Me këtë rast, Thaçi ka theksuar domosdoshmërinë, që kjo paketë reformash të përfshijë edhe 7 pikat e platformës politike të PDSH-së, të parashtruara në bisedime, si: pozita juridiko-kushtetuese e shqiptarëve në Maqedoni, vendimmarrja konsensuale, ndarja e drejtë e buxhetit, zyrtarizimi i gjuhës shqipe, ndarja e re territoriale, heqja e ngjyrimeve etnike nga simbolet shtetërore; si dhe ka kërkuar që njëri nga 3 postet kryesore të shtetit t’i takojë shqiptarëve.

Para diplomatit shqiptar, drejtuesi i PDSH-së ka përsëritur qëndrimin e tij se, Shqipëria ka një rol shumë të rëndësishëm si anëtare e NATO-s dhe është faktor përcaktues jo vetëm për ardhmërinë e shqiptarëve të Maqedonisë, por edhe për mbarë rajonin.

Ambasadori Reka, pas takimit me Thaçin ka bërë homazhe te varri i Arbën Xhaferit.

Leave a Reply