Gjetjet fokusoheshin tek sjelljet e njerëzve të një vendi dhe statistikat e tyre janë hartuar në bazë të përgjigjeve për pyetje të ndryshme si; A i shijojnë ditët e jetës? A i përjetojnë shumë shqetësimet dhe streset? A e gëzojnë jetën pa menduar gjithë kohës për problemet të ndryshme?
Sociologu Gëzim Tushi ka thënë për gazetën “Si” se rezultatet e sondazhit dhe renditja e vendit tonë, si e 50-ta në pamje të parë duket si i pavërtetë. Për të sondazhi mund të duket edhe cinik, në moment që vëzhgon në mënyrë inkrementaliste realitetin tonë social.
“Ne jemi ballkanas që kënaqemi, edhe me pak dhe nuk e vrasim shumë, në mënyrë strategjike mendjen. Ne kemi pritshmëri të ulëta për jetën dhe prandaj, nuk kemi stres të lartë. Shumicën e emocioneve negative e kemi në marrëdhënie të personalizuara, të cilat nuk i kap shume sondazhi social,” shprehet ai.
Sipas studimit indekset e formuara nga përgjigjet synonin të tregonin se si e jetojnë jetën njerëzit në botë, pa marrë parasysh çështjet politike apo ekonomike që i rrethojnë.
Ndër të tjera Tushi shprehet se niveli i ulët i emocioneve negative është një tregues thelbësor, për strukturën social psikologjike të shoqërisë dhe temperamentit të njerëzve tanë, të cilët kanë memorie te shkurtër për shqetësimet e tyre.
“Ne jetojmë të sotmen pa e vrarë shumë mendjen për të nesërmen, historiken, strategjiken. Mendoj se këtu e ka burimin rezultati i sondazhit të Gallupit,” shton ai.
Të dhënat treguan gjithashtu një ndryshim që ka pësuar shteti i Kosovës i cili kryeson në rajon, duke raportuar emocione pozitive me 1 për qind më tepër se sa vitet e kaluara.
Ndërsa, në rang global vendet që kryesojnë janë, Paraguaji, Kosta Rika, Panamaja dhe të fundit të listë, renditen vendet në konflikte.