Data 1 shtator ka shënuar ditën e parë të punës për deputetët e partisë opozitare LSDM, të cilët kishin bojkotuar Kuvendin prej me shumë se një viti.
Kreu i LSDM-së Zoran Zaev, tha se opozita maqedonase kthehet në Kuvend për të zbatuar marrëveshjen e 2 qershorit, që garanton zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni.
Megjithatë, ai paralajmëroi pushtetin se nëse nuk respekton marrëveshjen, opozita mund t’i rikthehet bojkotit dhe nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që janë caktuar për 24 prill të viti 2016.
“Me kthimin e LSDM-së në Kuvend, opozita konfirmon përcaktimin serioz për tejkalimin e krizës, për të kthyer kapacitetet demokratike dhe për të normalizuar shtetin. Këto janë qëllimet tona prej të cilave nuk lëshojmë pe”, deklaroi Zaev.
Në seancën e parë pas rikthimit, deputetët opozitarë u pritën me kritika nga deputetët e partisë më të madhe maqedonase VMRO-DPMNE, të cilët thanë se bojkoti i Kuvendit ka dëmtuar interesat shtetërore.
“Ne jemi të zgjedhur për të mbrojtur interesat e qytetareve. Deri sa deputetët e LSDM-së nuk ishin në punë, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, u miratuan shumë vendime dhe ligje të rëndësishme në interes të popullit”, u shpreh Ilija Dimovski, deputet i VMRO-DPMNE.
Menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar, deputetët e LSDM-së opozitare vendosën të bojkotojnë Parlamentin pasi kreu i kësaj partie kontestoi rezultatet zgjedhore dhe akuzoi pushtetin se ka falsifikuar procesin e votimit.