Shqipëria mori pjesë në ministeriali e dytë për Përparimin e Lirisë Fetare të organizuar në Uashington DC me iniciativën e Sekretarit të Shtetit Pompeo. Ministerialin e përshëndetën Zëvendës Presidenti Mike Pence, i cili riafirmoi rëndësinë e madhe që Presidenti Trump i kushton çështjes së lirisë së besimit duke vënë në pah traditën amerikane për respektimin dhe mbrojtjen e lirisë si edhe Sekretari i Shtetit Pompeo, i cili vuri në dukje ndjeshmërinë e lartë dhe rëndësinë e madhe që i kushtojnë vendet lirisë së besimit, duke konfirmuar kështu se kjo çështje i përket tashmë të gjithëve.
Ndërsa nga ana e saj , ambasadorja e Shqipërisë në SHBA, Floreta Faber, theksoi rëndësinë e promovimit të lirisë fetare e cila mbetet një gur themeli i të drejtave themelore të çdo qenieje njerëzore. Gjithashtu, ambasadorja vuri në dukje harmoninë fetare që karakterizon vendin tonë si edhe shpalosi politikat e qeverisë shqiptare të ndërmarra kundrejt lirisë fetare.
“Në këtë kuadër, konfirmoi se Shqipëria është dhe do të jetë gjithmonë një partner i fortë ndërkombëtar për mbrojtjen dhe promovimin e lirisë së fesë dhe lirisë së besimit, si shtyllat e lirisë së të drejtave të njeriut”, tha ajo. Qëllimi i ministerialit ishte riafirmimi i angazhimit ndërkombëtar për nxitjen e lirisë fetare për të gjithë dhe përqendrimi në rezultatet konkrete që prodhojnë ndryshime pozitive në këtë drejtim.
Ministeriali, mblodhi një gamë të gjerë përfaqësuesish nga organizatat ndërkombëtare, komunitetet fetare, shoqëria civile dhe qeveritë e më shumë se 100 vendeve, të cilët diskutuan rreth sfidave, identifikuan mënyrat konkrete për të luftuar persekutimin dhe diskrimin fetar, si dhe për të siguruar respektimin e lirisë dhe besimit fetar.