Sekretari i përgjithshëm i PD, Arben Ristani ka akuzuar këtë të hënë kryeministrin Rama dhe ministrin Tahiri se, po tentojnë të mbyllin zyrtarisht një prej skandaleve më të mëdha të qeverisjes së tyre, “siç ishte fshehja e kërkesës së Iintepol Brukselit për deputetin Mark Frroku”.
“Rikthimi në punë i shefit të Interpolit, i cili u nis të bëhej kurban për të marrë përgjegjësinë me vete dëshmon se kërkesa e Interpolit nuk është fshehur nga ai, por është fshehur nga ministri i Brendshëm”, deklaroi Ristani në një komunikim me mediat.
Ai kujtoi se, më herët gjatë vitit opozita reagoi dhe e bëri publik këtë “pakt kriminal” që në ditët e para të kësaj afere.
“Sot, me rikthimin në punë, në të njëjtën detyrë të personit të planifikuar për të luajtur rolin e rrufepritësit, del qartë se kërkesa e Interpol Brukselit u fsheh me urdhër të Edi Ramës dhe Saimir Tahirit, pasi Mark Frroku, deputeti i tyre, kishte në dorë dëshminë kryesore për mbylljen e hetimit ndaj Ilir Metës, i cili u akuzua nga radhët e mazhorancës për porositjen e vrasjes së dy deputetëve”, theksoi Ristani, i cili e cilësoi Ramën si “arkitektin e inkriminimit”, ose njeriun që solli në Parlament deputetë me të shkuar kriminale si Mark Frroku.
“Skema mafioze u ekzekutua nga Saimir Tahiri, tashmë i njohur si ministër i lidhur me bandat, i njohur si kumbari i drogës dhe aferave kriminale në vend. Kush do të mbajë përgjegjësi tani për këtë skandal?
Pushteti po bën të gjitha përpjekjet që faji të mbetet pa përgjegjës, si çdo aferë tjetër kriminale e këtij regjimi. Partia Demokratike i kërkon prokurorisë të çojë deri në fund këtë hetim dhe të nxjerrë përgjegjësit para ligjit.
Ne i sigurojmë qytetarët e vendit se ky skandal nuk do të mund të mbyllet asnjëherë me urdhrin politik të Edi Ramës. Çështja do të zbardhet dhe urdhëruesi, Saimir Tahiri, apo shefi i tij, do të mbajnë përgjegjësi para ligjit e para drejtësisë”, shtoi Ristani.