Kosovë, ambasadori amerikan bën thirrje për të luftuar korrupsionin

Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lufta kundër korrupsionit mbetet ende një sfidë në Kosovë.

Kështu ka deklaruar ambasadori i ri amerikan në Prishtinë, Greg Delawie në hapjen e seminarit “Aspektet ligjore të luftës kundër korrupsionit”, organizuar nga Zyra për Bashkëpunim Mbrojtës e Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë .

“Luftimi i korrupsionit është sfidë për çdo qeveri, shpresojmë që trajnimi i së hënës do ta ndihmojë Kosovën në këtë përpjeke të vështirë, por të domosdoshme. Një program rigoroz kundër korrupsionit krijon një mjedis të tillë ku veprat e korrupsionit identifikohen lehtësisht dhe pastaj ndiqen penalisht me lehtësi”, u shpreh Delawie.

Duke folur për rëndësinë e këtij seminari, ku pjesëmarrës janë zyrtarë të institucioneve kosovare, ambasadori Delawie tha se ndër prioritetet kryesore që ka ai është përpjekja për të luftuar korrupsionin.

“Kostoja e të qenit i korruptuar duhet të jetë shumë e lartë. Ky seminar trajton mënyrat se si zyrat tuaja mund ta ndryshojnë gjendjen. Ju ftoj ta shfrytëzoni mundësinë për të folur hapur dhe lirshëm rreth sfidave tuaja derisa hulumtoni mënyrat më të mira për  hetimin e korrupsionit në aspektin ligjor. Përpjekjet kundër korrupsionit janë një nga prioritetet e mija kryesore. Duke punuar së bashku duhet të sigurojmë që Kosova i ka masat ligjore zbatuese, të cilat i përmbushin standardet më të larta”, vazhdoi ai.

Seminari “Aspektet ligjore të luftës kundër korrupsionit” ka vazhduar pa praninë e mediave, ku për gjatë gjithë javës pjesëmarrësit do të trajnohen lidhur me luftimin e korrupsionit nga profesionistë të fushës të nivelit qeveritar, ushtarak e federal të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Leave a Reply