Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, deklaroi se kultivimi i bimëve narkotike në vendin tonë është ulur ndjeshëm dhe vlerësoi punën e Policisë së Shtetit në këtë fushë.
“Lufta kundër drogërave dhe krimit të organizuar ka bërë një hap të stërmadh përpara përmes këtij operacioni ajror mes Guardia di Finanza dhe Policisë së Shtetit shqiptar. Të dhënat e mbledhura këtë vit, konfirmuan përparimin e jashtëzakonshëm në asgjësimin e narkotikëve në Lazarat dhe zbuluan zonat e reja të kultivimit. Si rezultat i përpjekjeve, ne besojmë se kultivimi i përgjithshëm i kanabisit në Shqipëri është shumë i ulët”, deklaroi ambasadori Lu.
Për Shtetet e Bashkuara krimi mbetet krim dhe si i tillë trajtohet njësoj. Ndaj në fjalën e rastit, konferenca “Antidroga, një histori suksesi” nuk ishte një pengesë për kryediplomatin amerikan në Tiranë të fliste edhe për korrupsionin dhe ndihmën amerikane në këtë drejtim.
“SHBA mbështet luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sapo kemi caktuar një prokuror federal që të punojë me njësinë e antikorrupsionit në Prokurorinë për Krimet e Rënda”, tha ai.
Donald Lu rithekësoi mbështetjen amerikane për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe i bëri thirrje klasës politike që të bashkëpunojnë.
“Mazhoranca dhe opozita kanë akuzuar shpesh njëra-tjetrën për lidhje me krimin. Lufta kundër krimit duhet të dalë mbi partitë politike. Shqipëria ka nevojë që të gjithë udhëheqësit të punojnë bashkë për të luftuar kriminelët, trafikantët dhe zyrtarët e korruptuar”, tha Lu.