Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup për sot janë caktuar seanca të reja gjyqësore për rastet “Target-Fortesa”, “Monstra” dhe procedura e përsëritur për rastin “Treqind”, të cilat nga PSP-ja i ndërmori në kompetencë dhe përfaqësim të mëtutjeshëm Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Rasti për vrasjen e pesëfishtë te Liqeni i Smillkovës më 12 prill të vitit 2012, “Monstra”, gjendet në procedurën e dëshmive dhe por prezantohen mbi 133.000 SMS porosi dhe transkripta të tjera, të propozuara si dëshmi shtesë nga Prokuroria.
Procesin gjyqësor e udhëheq gjykatësi Ognen Stavrev, ndërsa përfaqësues të akuzës janë Fatime Fetai dhe Gavrill Bubevski.
Për vrasjen e pesëfishtë te Liqeni i Smilkovcës më 12 prillit të vitit 2012, kur u vanë djemtë Kire Triçkovski, Filip Slavkovski, Cvetanço Atkovski, Aleksandar Naqevski dhe peshkatari Borçe Stefanovski, me burgim të përjetshëm u dënuan Alil Demiri, Afrim Ismailoviq, Agim Ismailoviq, Fejzi Aziri, Haki Aziri dhe Sami Luta.
Gjykata Supreme në dhjetor të vitit 2017 i shfuqizoi aktvendimet, i liroi nga paraburgimi të dënuarit Agim Ismailoviq, Haki Azirin, Sami Lutën dhe Fejzi Azirin dhe u caktoi masë kujdesi. Pas shfuqizimit të aktvendimeve, rastin “Monstra” e mori PSP-ja dhe lënda është kthyer sërish në gjykim.
Rasti për ndjekjen e paligjshme të komunikimeve “Target-Fortesa” gjendet në procedurën e dëshmive dhe e udhëheq gjykatësja Xheneta Bektoviq, ndërsa përfaqësues i akuzës është Lençe Ristevska.
Sipas aktakuzës, përmes tre sistemeve për ndjekjen e komunikimeve të DSK-së, në periudhën prej vitit 2008 deri në vitin 2015 në mënyrë të kundërligjshme ishin ndjekur 4.286 numra telefoni për të cilët aspak nuk janë dhënë urdhra gjyqësorë.
Komunikimi është ndjekur para se të jepen edhe pas përfundimit të afatit të urdhrave gjyqësore për 1.541 numra apo gjithsej 5.827 numra telefoni. Ishin përgjuar mbi 20 mijë qytetarë.
Në rastin “Treqind” i akuzuar është ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme Gjoko Popovski për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë furnizimit të 300 automjeteve për nevojat e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Gjykatësja Dobrilla Kacarska në maj të vitit të kaluar e dënoi Popovskin me nëntë vjet burg për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa në dhjetor të vitit të kaluar Gjykata e Apelit e shfuqizoi aktgjykimin e shkallës së parë për rastin dhe e ktheu në gjykim të sërishëm.
Sipas akuzës së PSP-së Popovski nuk i ka respektuar rregullat ligjore për furnizim publik dhe e ka dëmtuar buxhetin 453.570 euro.