Një pjesë e mirë e hapësirave publike në Njësinë 5 në kryeqytet po u kthehen qytetarëve, ndërsa rehabilitimi i tyre parashikon që bashkia t’i rivendosë ato në shërbim të komunitetit.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet në këtë njësi administrative, nga ku kërkoi edhe bashkëpunimin e qytetarëve për mbrojtjen e këtyre investimeve, që bëhen me taksat e tyre.
“I gjithë operacioni i Bashkisë së Tiranës për të liruar hapësirat në Njësinë 5 është një histori suksesi. Kemi liruar shumë hapësira, që deri dje konsideroheshin tabu, por sidomos hapësirat mes pallateve. Unë kam qenë në këtë zonë edhe gjatë kohës së fushatës, një zonë që ka pasur probleme të vazhdueshme me bllokime rrugësh dhe zënie hapësirash. Më vjen mirë që mentaliteti i të fortit nuk ekziston më në Tiranë. Sot i fortë quhet ligji, shteti dhe qytetari dhe banori. Ndaj më vjen mirë që, teksa mbaron pjesa e prishjes së ndërtimeve pa leje në Bashkinë e Tiranës, kemi filluar një proces tjetër, atë të rehabilitimit, rikthimit në identitet dhe i gjelbërimit, bashkë me vendet e parkingjeve për qytetarët, por edhe me hapësira çlodhëse për të gjithë banorët e zonës. Ky është një nga blloqet kryesore, sepse do të kemi 5 të tilla në Njësinë 5 dhe disa kanë nisur tashmë me rehabilitimin. U kërkoj të gjithë qytetarëve të bashkëpunojnë teksa ne kryejmë punimet, t’i bëjmë ato në kohë rekord dhe të sigurohemi që ajo kultura kur prishej diçka lihej e prishur për t’u bërë edhe më keq, tashmë ka mbaruar. Ne do të prishim atë që është pa leje, do të ndërtojmë dhe do të shtojmë hapësirat e gjelbërta, ndaj dhe kërkoj bashkëpunimin e qytetarëve për t’i mbrojtur këto investime. Këto nuk bëhen me bamirësi, por me taksat e qytetarëve dhe për sa kohë bëhen me paratë e tyre, qytetarët duhet të jenë të parët që duhet t’i mbrojnë”, tha kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Kreu i bashkisë, Veliaj bëri me dije edhe nismën e re për vendet e parkimit në zonat e banuara të qytetit, një nismë kjo që – sipas tij, – do të japë një ndihmë të madhe në uljen e kaosit, që vinte si rrjedhojë e vendeve të kufizuara për qëndrimin e automjeteve.
“Do të fusim për herë të parë edhe një sistem të ri të menaxhimit të hapësirave publike kur vjen fjala te parkingjet. Qytetarët do të pajisen me një kartë rezidenti dhe vetëm banorët e kësaj lagjeje do të kenë parkimin e tyre të garantuar. Kjo ide funksionon më së miri në të gjitha vendet e tjera dhe është një mënyrë e mirë e të ndarit nga kultura ku blindohej e gjithë lagjja me mjete rrethanore, për të sjellë një kulturë të re ku njësia administrative nxjerr kartën e rezidentit dhe atyre u garantohet parkingu për sa kohë banon në atë zonë”, deklaroi Veliaj.