Obama akuzon presidentin për mënyrën si reagoi
Qasja e presidentit amerikan Donald Trump ndaj koronavirusit që ka dallime të dukshme nga pjesa më e madhe e globit ka thelluar polemikat në Shtetet e Bashkuara.
Së fundi ka reaguar ish-presidenti amerikan Barack Obama, i cili e konsideron “katastrofë absolute kaotike” përgjigjen që po i jep administrata e pasardhësit të tij, krizës së COVID-19-ës.
Në një regjistrim audio të një telefonate private që është konfirmuar edhe nga stafi i ish-presidentit thuhet se Shtetet e Bashkuara meritojnë një administratë shumë herë më të përgjegjshme, në periudhën e kësaj krize globale, duke lëshuar edhe një thirrje për të votuar për president ish-zëvendësin e tij Joe Biden. Ai paralajmëroi edhe rrezikun e një fushatë dezinformuese në prag të zgjedhjeve të nëntorit.
Thirrja e Obamës vjen pasi prej rreth një jave, numri ditor i vdekjeve në Shtetet e Bashkuara është tepër i lartë, mbi 2 mijë, më shumë se në çdo vend tjetër të botës. Ky vend ka 1/3 e numrit të përgjithshëm të të prekurve dhe viktimave nga COVID-19 në gjithë botën.
Sakaq presidenti amerikan duket se e ka rishikuar qëndrimin e tij për fundin e pandemisë, duke thënë se koronavirusi do të zhduket pa një vaksinë.
COVID-19 po i vjen rrotull shefit të Shtëpisë së Bardhë. Anthony Fauci, këshilltari numër 1 i Presidentit për situatën e emergjencës si dhe 2 drejtues të lartë të institucioneve shëndetësore u vetëizoluan pas kontakteve me sekretaren për shtyp të zv/presidentit Mike Pence, e cila rezultoi pozitive.