Në kuadër të operacionit policor “Investimi”, Policia e Tiranës ka vendosur sekuestro preventive ndaj pasurive të dy vëllezërve me rekorde të theksuara kriminale, pasuri që kapin vlerën e tregut rreth 3.7 milionë euro.
Konkretisht u sekuestruan: 4 apartamente në Tiranë, 2 apartamente në Sarandë, 1 ambient biznesi trekatësh në Laprakë; 1 njësi tregtare, 1 palestër, 7 garazhe dhe dy aktivitete biznesi në Tiranë; 4 automjete BMË X5 dhe llogari bankare në euro, usd dhe lekë dhe gjendjen aktuale në këto llogari në tri banka të nivelit të dytë.
Pasuria iu përket vëllezërve me iniciale Sh. H. 43 vjeç dhe E. H., 42 vjeç, të dy banues në Tiranë.
43-vjeçari ka rekorde kriminale në shtetin e Belgjikës, ku ka kryer një vrasje para disa vitesh. Në vitin 2009 të dy vëllezërit dhe 4 shtetas të tjerë janë arrestuar nga Policia Gjyqësore Federale në Gent, Belgjikë, si pjesëtarë të një grupi kriminal, për veprat penale “Trafikimi i grave për prostitucion” dhe “Substancat narkotike”.
Ndërkohë, vëllai tjetër, E. H., ka qenë i përfshirë në hetime për veprat penale “Trafikim i qenieve njerëzore me qëllim shfrytëzimi për prostitucion” dhe “Pjesëmarrje në organizatë kriminale”. Po ashtu, ai rezulton se nga viti 2002 deri në vitin 2009 ka qenë i burgosur në Belgjikë.