Në Bankën e Shqipërisë është mbajtur pasditen e kësaj të premteje një ceremoni me rastin e restaurimit të ambjenteve të saj.
Në fjalën e tij në këtë event, kryeministri Edi Rama ka vlerësuar punën e bërë nga Banka e Shqipërisë ndër vite, duke shtuar se ky restaurim ka qenë më se i merituar.
“Ky investim mund të konsiderohet një luks i tepërt, por është një investim për t’i dhënë këtij institucioni atë që i takon. Banka e Shqipërisë është një ndër institucionet e pakëta që gëzon besimin e qytetarëve”, ka deklaruar Rama.
Ai ka nënvizuar se, ky projekt nisi kur ai ishte ende kryetar bashkie dhe do të vijojë me rikonstruksionin e hotel “Dajti”, që është pjesa tjetër e BSH.
“BSH meriton konsideratën më të lartë për gjithë punën që kryhet, si një institucion që ka luajtur një rol delikat në momente të vështira”, ka thënë Rama.
Më tej, duke komentuar situatën ekonomike në vend, shefi i qeverisë ka theksuar se, “përpjekjet e një vendi për më shumë mirëqënie nuk kalojnë përmes së bukurës”.
Po në këtë event është çelur edhe muzeu i Bankës së Shqipërisë, me guvernatorin Gent Sejko që ka prerë shiritin e përurimit.