Ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se janë mbledhur 180 mijë nënshkrime në peticionin “Duam Zgjedhje”.
Kurti ka theksuar se gjatë ditëve të ardhshme do të shkojë të vizitojë komuna të ndryshme të Kosovës.
“Do të shkoj në komuna të ndryshme të Kosovës, sepse ka kohë që skam dalur në qytetet dhe qytezat e vendit tonë. Kryesisht po i vizitoj vendet ku po mbledhin nënshkrime për peticionin “Duam Zgjedhje. Mbrëmë janë bërë 180 mijë nënshkrime, qartazi ky do të jetë peticioni më i madh në Kosovë pas luftës”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se nesër do të vizitojë Vushtrrinë, Mitrovicën dhe Besianën, që të shpreh si kryetar i LVV-së mbështetjen për punën që po e bëjnë aktivistët.
I pyetur rreth manifestimit të 12 qershorit dhe mundësisë së protestave, Kurti tha se kjo nuk do të jetë protestë por manifestim për 15 vjetorin e themelimit të LVV-së.
“Do ta kemi javën e Lëvizjes që fillon me 10 qershor dhe përfundon me 17 qershor. Në mesin e këtyre ditëve ndodhet 12 qershori që është data e çlirimit të Kosovës dhe themelimit të LVV-së. Do ta kemi një tubim një manifestim në sheshin Skënderbe, do ta mbajmë distancën do të dalim me maska. Kjo nuk është protestë është një manifestim për 15 vjetorin e LVV-së”, u shpreh Kurti.
Ndryshe, ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar edhe deklaratën e presidentit, Hashim Thaçi, i cili ka thënë se e urren termin “gjendje e jashtëzakonshme”.
Kurti para mediave ka thënë se Thaçi ka kërkuar të shpallet gjendje e jashtëzakonshme për të dal kundër Qeverisë, dhe jo kundër pandemisë COVID-19. /Telegrafi/