FBI ka nisur një hetim për sulmin kibernetik në Twitter që ju bë VIP-ave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas FBI-së, pas sulmit ndaj llogarive në Twitter fshihet një skemë mashtrimi me monedhën virtuale Bitcoin.
Në mesin e personave të famshëm, Twitteri i të cilëve u sulmua nga hakerat, ishin Elon Musk, Bill Gates, Joe Biden etj.
Nga ana tjetër, rrjeti social Twitter ka reaguar duke thënë se hakerat ndërhynë në llogaritë personale të përdoruesve duke vjedhur të dhënat e punonjësve të kompanisë.
Pas këtij incidenti, Twitter lajmëroi se ka marrë masa për të reduktuar aksesin në sistem të punonjësve. Përveç hetimit të FBI-së, edhe vetë Twitter ka nisur hetimet.
Ekspertët amerikanë kanë thënë se hakerat kanë pasur për qëllim grumbullimin përmes mashtrimit, të kriptomonedhave dhe vetëm nga ky sulm mendohet që ata të kenë përfituar një shumë monedhash virtuale me vlerë mbi 100 mijë Dollarë.
Të gjithëve, hakerat u lanë të njejtin mesazh të postuar në faqen kryesore, ku ndjekësve u bëhej thirrje që të dërgonin 1 mijë dollarë për të përfituar 2 mijë. Twitter reagoi shpejt duke hequr mesazhet, të cilat në disa raste u rishfaqën për herë të dytë e të tretë.