Pse u heshtë kërkesa për ndihmën e FBI-së në rastin “Monstra”?!

Byroja hetimore amerikane FBI ishte kërkuar si opsion për të hetuar rastin e Smilkovës, që kishte ndodhur në prillin e 2012, ku u vranë pesë të rinj maqedonas, ndërsa lidhur me këtë akt të rëndë u dënuan pesë shqiptarë, banorë lokal të Hasanbegut.

Kërkesën për praninë e FBI ndër të parët e kishte kërkuar ish-subjekti politik RDK që udhëhiqej nga Rufi Osmani. Ai kishte theksuar se vetëm FBI ose ndonjë instancë tjetër ndërkombëtare mund të sigurojë besueshmërinë e procesit dhe një hetim të plotë, përcjell INA.

Por dy vite më pas për këtë kishte folur edhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti. “Bëhet fjalë për proces shumë të komplikuar. Kemi biseduar me miqtë tanë dhe kemi kërkuar që këtë proces ta monitorojë FBI-ja”, ka thënë Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Ndaj Ahmetit kishte replikuar atëkohë anëtari i LSDM-së, Muhamed Zekiri, duke theksuar se “mbaroi koha kur BDI kërkonte FBI-në,tash FBI kërkon BDI-në”, duke aluduar në proceset si rasti “Monstra”.

Edhe Aleanca për Shqiptarët (ASH) viteve të fundit ka nënvizuar nevojën e pranisë ndërkombëtare në reformimin e sistemit të drejtësisë si dhe në përfshirjen në hetimet e rasteve të montuara dhe të komplikuara në Maqedoninë e Veriut.(INA)

Leave a Reply