Deputeti socialist, Erion Braçe i kërkoi Sali Berishës, President i Republikës në kohën kur Shërbimi Sekret rrëmbeu dhe zhduku shqiptarin nga Maqedonia, Remzi Hoxha, që t’u tregojë familjarëve të tij se ku e ka varrin.
Erion Braçe, deputet socialist: Zoti Berisha, ju dhe unë e njohim shumë mirë Remzi Hoxhën. Nuk e di në ç’rrethana e keni njohur ju, por unë e kam njohur si gazetar i “Zërit të Popullit” dhe Remzi Hoxha ishte një shqiptar i madh. Jemi në vitin e 20 kur, Remzi Hoxha jo vetëm që nuk është më, sepse u rrëmbye, u torturua, u vra dhe iu zhdukën edhe eshtrat; por jemi në ditët kur familjarët e tij kërkojnë eshtrat e prindit, të babait, vëllait apo të afërmit të tyre. Keni detyrimin si gjysh, si prind, si vëlla, apo çfarë të doni ju, t’i thoni asaj familjeje se ku janë eshtrat e Remzi Hoxhës. Nuk të kërkoj absolutisht asgjë tjetër, pjesa tjetër i takon drejtësisë, ndaj të merren ata. Dua t’i bëj një thirrje ministrit të Brendshëm që padiskutim, ashtu si cilindo keqbërës tjetër, që ndodhet kudo në botë dhe po vjen këtu në Shqipëri për të vuajtur dënimin e tij, ashtu të sjellë edhe kasapin e atij regjimi. Ilir Kumbaron ta sjellë këtu!
Por Berisha tha se nuk ka pasur dijeni për këtë operacion, madje akuzoi se dosjen e tij e shkatërroi ish-shefi i Shërbimit Sekret, Fatos Klosi.
Sali Berisha, deputet demokrat, ish-kryeministër e ish-President: Rastin e tij, për herë të parë ma ka ngritur Adem Demaçi. Jam marrë me të gjitha mundësitë e mia. Nuk kisha pasur kurrë asnjë informacion, as emrin e tij nuk e kisha dëgjuar kurrë. U tha se ka marrë pjesë në atentatin me autobombë ndaj Gligorovit, nuk kam pasur asnjë informacion. U tha më vonë se është akuzuar se ka marrë pjesë në atentat ndaj Sali Berishës, sërish nuk kam pasur asnjë informacion. Këto ishin vetëm sajesa dhe trillime, të atyre që kërkonin të përdornin një njeri, që mbase e zhdukën vetë, për qëllime politike. Gjënë e parë që bëri Fatos Klosi, ishte të zhdukte dosjen e tij. Nëse do dikush, sot janë dëshmitarë që e kanë ndjekur për dy dosje. Dosja rindërtohet plotësisht për Fatos Klosin.