Denoncimi i radhës i Partisë Demokratike ka pasur në fokus Ministrinë e Mbrojtjes, bazuar në kallëzimet e Kontrrollit të Lartë të Shtetit për tenderat e zhvilluara nga ky dikaster.
Ndërsa KLSH ka denoncuar edhe tenderin për rikonstruksionin e ndërtesës së ministrisë, demokratët janë përqendruar vetëm tek tenderi për sistemin e vëzhgimit të hapësirës detare, në vlerën e 85 milionë lekëve të reja.
“Kontrolli ka zbuluar se tenderin për blerje, furnizim, instalim dhe vënie në punë të Sistemit të Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Detare, Kodheli ia ka dhënë një dyqani celularësh në rrugën e Durrësit. Pra, dyqani i përzgjedhur i Kodhelit në rrugën e Durrësit do të monitorojë hapësirën detare, dhe po flasim pikërisht për rrugët ku kalon trafiku i drogës. Me një rrugë e dy punë, bën Mimi. E para: ndan 850 milionë lekë me dyqanin e celularëve në rrugën e Durrësit, e dyta: garanton rrugët detare të trafikut të drogës. Dëmet ekonomike janë në qindra milionë lekë dhe procedura është mëpërkëmbur sipas nevojave të Mimit”, deklaroi koordinatorja e PD, Reila Bozdo.
Por portali qeveritar “transparenca.al” reagoi duke thënë se, kompania e përzgjedhur për sistemin e monitorimit të hapësirës detare është përfaqësuesi zyrtar i kompanisë që prodhon radarët.
E njëjta kompani, sipas “transparenca.al”, ka bërë mirëmbajtjen e pajisjeve përgjatë periudhës 2010-2011. Po në 2010, kjo kompani, sipas portalit qeveritar, ka ofruar edhe riparimin e radarëve dhe nga qeveria cilësohet si avantazh fakti që ajo do të vijojë të ofrojë eksperiencën e saj në këtë fushë.
“Avantazh që nuk u shfrytëzua për rreth dy vjet në 2012 dhe 2013, ku hapësirës detare u la në errësirë pa asnjë monitorim”, përfundon reagimi i portalit qeveritar.
Vetë kompania fituese ka reaguar gjithashtu. “IDEA-Tel” thotë se është e vetmja kompani që ka kryer këtë shërbim në mënyrë të pandërprerë prej 12 vjetësh, “dhe ministrat Majko, Oketa e Imami s’kanë pasur asgjë për të thënë”, deklaron subjekti privat.
Ajo i ka kujtuar Partisë Demokratike se ka qenë ajo që së bashku me grupin “GEM” kanë fituar tenderin e riparimit të radarëve edhe në vitin 2011, kur ministër ishte Arben Imami.
Tenderi i riparimit të radarëve u vendos në qendër të vëmendjes pas kallëzimit të datës 5 shtator, ndaj 12 zyrtarëve në Ministrinë e Mbrojtjes, por në qendër të kallëzimit të këtij tenderi nga KLSH ishin parregullësitë në procedurat e prokurimit.
“Në këtë proces është shkelur ligji për prokurimin publik, duke e përcaktuar tenderin të “klasifikuar”, ndërkohë që ligji parashikon që ai të jetë i hapur”, thotë KLSH në kallëzim, duke shtuar se i njëjti tender në 2011 është bërë i hapur.