Numri i rasteve të konfirmuara të koronavirusit në të gjithë globin ka kaluar 30 milionë dhe mbi 940 mijë janë viktimat. SHBA, India dhe Brazili kanë numrin më të madh të rasteve të konfirmuara por ajo që shqetëson është Evropa. Shumë vende në hemisferën veriore tani po përballen me një valë të dytë të pandemisë në një kohë kur dimri po afron.
Në Britani, qeveria ka njoftuar masa të reja në Angli përfshirë një periudhë kufizimesh në përpjekje për të ngadalësuar rritjen e infektimeve. 15 milionë njerëz sipas përllogaritjeve të BBC, do ta gjejnë veten nga e marta në izolim të pjesshëm lokal. Kryeministri Boris Johnson tha se vendi tani po kalon një valë të dytë të Covid-19.
Johnson tha se ai nuk donte të ndërmerrte masa të mëdha izolimi por kufizime më të ashpra të distancimit social mund të jenë të nevojshme. Të premten, Britania regjistroi një rekord prej 4322 rastesh të reja të koronavirusit. Edhe në Spanjë situata është alarmante me një izolim të pjesshëm që prek më shumë se 855 mijë persona që jetojnë në 26 lagje të Madridit.
Jashtë Evropës, Izraeli shpalli një izolim të dytë kombëtar tre-javor të premten, i pari vend që e bën këtë, ndërsa numri i rasteve të reja me COVID-19 ka shënuar një nivel të ri të lartë, prej gati pesë mijë të infektuarish në ditë. Disa spitale raportojnë se nuk kanë më vende për pacientë të tjerë.
Infeksioni është përhapur në të gjithë vendin, por komunitetet ultra-ortodokse hebreje dhe ato arabo-izraelite janë ndër më të goditurat. Afrika ka regjistruar më shumë se 1 milionë raste të konfirmuara edhe pse shtrirja e vërtetë e pandemisë në kontinent është e panjohur.