Presidenti francez, Francois Hollande ndodhet nën presion gjithnjë e më të madh për të ndryshuar politikën në lidhje me luftën civile në Siri dhe për të punuar më nga afër me Rusinë, pas valës së sulmeve vdekjeprurëse të së premtes në Paris, e megjithatë, duket se ai mbetet i vendosur t’u qëndrojë vendimeve të tij dhe të përshkallëzojë sulmet ushtarake ndaj Shtetit Islamik.
Franca është kthyer në vendin perëndimor më të ekspozuar kundrejt militantëve islamikë xhihadistë, edhe për shkak të të qenit aktiv në shumë prej konflikteve të Lindjes së Mesme, si dhe për laicitetin rigoroz të zbatuar në trojet e veta, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania – të djegura nga eksperienca e tyre në Irak, – kanë pasur një qasje më të kujdesshme.
Përgjigjja e Hollande ndaj sulmeve të së premtes ishte pikërisht të deklaronte se Franca është në luftë me Shtetin Islamik, pasi grupi xhihadist mori përsipër përgjegjësinë e masakrës së Parisit, si dhe të niste një fushatë edhe më masive ajrore kundër objektivave të ISIS në bastionin e tyre sirian të Raqqasë.
NDRYSHIME KUSHTETUESE, SHPENZIME PËR SIGURINË
Presidenti Francois Hollande kërkoi ndryshime kushtetuese, në mënyrë që vendi të përballet më mirë me krizën aktuale, teksa fliste përpara deputetëve të të dy dhomave të Parlamentit francez, në Versajë.
Kjo është hera e parë në më shumë se 6 vite, që një president francez flet përpara dy dhomave të Parlamentit, Senatit dhe Asamblesë Kombëtare, të mbledhur në të ashtuquajturin “Kongres” të Versajës. Kjo procedurë i rezervohet zakonisht vetëm rishikimeve kushtetuese dhe fjalimeve madhore presidenciale.
Ai kërkoi që ligji, i cili lejon dyshtetësinë, të ndryshohej duke përfshirë kushtin, që shtetasve me kombësinë franceze si të dytë t’u hiqej shtetësia nëse dënoheshin për terrorizëm, si dhe personat me dyshtetësi të mos lejohen të hyjnë në Francë, nëse paraqesin “rrezik terrorizmi”.
Ai u angazhua gjithashtu të rriste buxhetin për forcat e sigurisë dhe ushtrinë, pasi “kjo gjë do të çojë në më shumë shpenzime, për të cilat përgjegjësinë dua ta marr unë”, tha Hollande. “Konsideroj se, në këto rrethana, pakti për siguri triumfon mbi paktin për stabilitet”, tha ai, duke iu referuar kufizimeve buxhetore të Eurozonës.
FRANCA NË LUFTË KUNDËR “FRIKACAKËVE”, JO “QYTETËRIMEVE”
Më tej, në fjalimin e tij të kësaj të hëne, Francois Hollande tha se Franca ishte në luftë kundër frikacakëve, dhe se kjo nuk përbën një përplasje mes qytetërimeve, pas sulmeve me rreth 129 viktima në Paris.
“Franca është në luftë – tha Hollande përpara parlamentarëve francezë. – Por ne nuk jemi të përfshirë në një luftë qytetërimesh, sepse këta barbarë nuk përfaqësojnë asnjë qytetërim”. “Demokracia jonë ka triumfuar ndër vite edhe ndaj kundërshtarëve më të rrezikshëm sesa këta frikacakë”, shtoi më tej Hollande. “Ndaj, në këto kushte, Franca do të përshkallëzojë operacionet e saj në Siri”, tha presidenti francez, duke e përshkruar këtë shtet si “fabrikën më të madhe të terrorizmit që ka njohur bota deri më sot”.
Megjithatë, Presidenti francez nuk ka lënë mënjanë as krizën e refugjatëve, për të cilën ka kërkuar kontrolle më efektive ndërkufitare, sidomos në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Europian, në mënyrë që të shmangin rikthimin e kontrolleve kufitare dhe shpërbërjen e Bashkimit Europian.
Hollande u shpreh para deputetëve francezë se, është tepër i nevojshëm një koalicion i vetëm dhe i madh për të luftuar në Siri kundër Shtetit Islamik, dhe se për këtë do të takohet me Presidentin amerikan, Barack Obama dhe homologun e tij rus, Vladimir Putin, gjatë ditëve të ardhshme.