ISIS, Obama përjashton dërgimin e trupave në terren: Do të ishte gabim

Presidenti amerikan, Barack Obama ka përjashtuar këtë të hënë ndryshimin e strategjisë në luftën kundër Shtetit Islamik, pavarësisht sulmeve vdekjeprurëse në Paris të javës së kaluar. Dërgimi i trupave amerikanë në terren, për të luftuar grupin xhihadist “do të ishte thjesht një gabim”, ka thënë Obama.

Obama, duke folur gjatë një konference për shtyp në ditën e dytë të punimeve të samitit të udhëheqësve të G20-s në Turqi, tha se koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në luftën kundër Shtetit Islamik në Irak dhe Siri do të dyfishojë përpjekjet për implementimin e strategjisë aktuale, në vend që të ndryshojë drejtim dhe strategji.

“Do të ketë intensifikim të strategjisë që ne kemi shpallur kohët e fundit, kjo për shkak se një strategji e tillë është duke dhënë frytet e veta më në fund, – tha Obama për reporterët. – Pavarësisht se do të duhet kohë për të arritur objektivat tona”.

“Kjo nuk është thjesht pikëpamja ime, por edhe e këshilltarëve më të afërt ushtarakë dhe civilë, të cilët më kanë sugjeruar se dërgimi i trupave në terren do të përbënte një gabim”, shtoi Presidenti amerikan.

Obama deklaroi se sulmet e koordinuara, që lanë të paktën 129 të vdekur në Paris gjatë së premtes së kaluar, ishin një goditje në luftën kundër Shtetit Islamik, por ai këmbënguli se koalicioni i udhëhequr nga amerikanët po bën progres në rrëzimin e këtij grupi militantësh xhihadistë, që ka ende nën kontroll rajone të tëra në Siri dhe Irak prej vitit të kaluar.

Presidenti amerikan deklaroi se agjencitë amerikane të kundërzbulimit kanë qenë të shqetësuar në lidhje me një sulm potencial ndaj Perëndimit nga militantët e Shtetit Islamik prej thuajse një viti, por nuk kishin siguruar kërcënime specifike në lidhje me sulmin në Paris, që do t’u mundësonte zyrtarëve zyrtarëve francezë të përgjigjeshin me efektivitet në parandalimin e sulmit.

“Nuk kemi pasur asnjë të dhënë specifike të këtij sulmi, që do të na linte ne të kuptonim diçka që mund t’ua ofronim autoriteteve franceze, për shembull, apo për të vepruar qoftë edhe ne”, tha ai.

Leave a Reply