Ethet e debatit Trump-Biden/ Nesër përballja e parë e kandidatëve në Ohajo

Gara për të kryesuar shtëpinë e bardhë ka mbërritur në një moment të rëndësishëm  pasi të martën në mbrëmje do të zhvillohet debati i parë mes dy kandidatëve, Donald Trump dhe Joe Biden. Përballja mes tyre është planifikuar të zgjasë 90 minuta dhe do të moderohet  nga gazetari i Fox News, Chris Wallace në qytetin Klivlend të shtetit Ohajo.

Në vitin 2016, Trump fitoi garën në këtë shtet  me një diferencë prej 8 përqind dhe përpara debatit të parë ai vjen me një kërkesë të pazakontë duke vënë në dyshim kthjelltësinë e kandidatit demokrat.  Në një konferencë për shtyp, presidenti kërkoi që Joe Biden, të bëjë testin për drogë.

DONALD TRUMP, PRESIDENT I SHBA

“Unë kërkoj me forcë që gjumashi Joe Biden të kryejë testin për drogë para ose pas debatit të së martës në mbrëmje. Natyrisht që edhe unë pranoj që ta bëj një të tillë gjithashtu. Prezantimi i tij në debate ka qenë rekord për sa i takon të qënurit jo i njëtrajtshëm, për ta thënë në mënyrë të butë. Vetëm drogërat mund ta kenë shkaktuar këtë gjendje.”

Temat kryesore të debatit do të jenë arritjet e kandidatëve, Gjykata e Lartë, pandemia, ekonomia, Integriteti i Zgjedhjeve si dhe protestat antiraciste.

Ohajo është një shtet vendimtar për zgjedhjet në SHBA pasi nuk është vota popullore ajo që përcakton fituesin por një sistem kompleks i quajtur Kolegji Zgjedhor. Asnjë republikan nuk ka fituar presidencën pa fituar Ohajon.

Dy përballjet e tjera Trump-Biden do të zhvillohen në muajin tetor.

Leave a Reply