Një alarm për bombë ka anuluar ndeshjen miqësore mes Gjermanisë dhe Holandës, e cila ishte parashikuar për t’u luajtur këtë mbrëmje në stadiumin e Hanoverit.
Menjëherë pas dhënies së alarmit, autoritetet kanë bërë të mundur evakuimin e tifozëve që ishin futur në ato momente në stadium, ndërsa kanë nisur menjëherë kontrollet e imtësishme në të gjitha ambientet e stadiumit dhe përreth tij.
Në stadiumin 49 mijë vendesh të Hanoverit ishte parashikuar që të ishte prezente edhe kancelarja Merkel.
Kjo është miqësorja e dytë e anuluar që ishte parashikuar të luhejë këtë mbrëmje. Frika nga ndonjë sulm terrorist ka detyruar autoritetet belge, më herët që të anulojnë edhe ndeshjen mes Belgjikës dhe Spanjës. Lajmi për anulimin e kësaj miqësoreje u dha rreth 11 orë nga nisja e saj.
Ndeshja duhej të luhej në stadiumin e Brukselit “Stade Roi Baudouin”, por me sugjerimin e qeverisë belge, federatat janë pajtuar ta anulojnë.
Ndërkohë, ndeshja miqësore mes Francës dhe Anglisë, e cila pritet të nis në 21:00, duket se nuk do të anulohet. Të paktën deri tani nuk ka pasur asnjë njoftim, pavarësisht frikës së madhe që ekziston pas sulmeve të fundit që ndodhën të premten në Paris. Mbi 130 persona humbën jetën në sulmet që nisën fillimisht pranë stadiumit ku po zhvillohej miqësorja mes Francës dhe Gjermanisë.