BE, kontroll i kufijve dhe identifikim i refugjatëve

Kontrolli i kufijve të Europës dhe identifikimi i refugjatëve që hyjnë çdo ditë në kontinent janë dy nga masat kryesore të sigurisë që autoritetet e BE-së do të ndërmarrin pas sulmeve të Parisit.

Por verifikimi i emigrantëve është një sfidë e madhe, pasi Agjencia Kufitare e BE-së pohoi se pikat që presin edhe fluksin më të madh të tyre si në Turqi apo ishujt greke, nuk i kanë pajisjet e duhura për të vlerësuar vërtetësinë e dokumentave të identifikimit.

Një shkrim i “The Guardian” hedh dritë mbi një skemë e cila rrezikon infiltrimin e terroristëve si refugjatë. Falsifikatorët në Lindjen e Mesme janë duke ofruar pasaporta të rreme siriane për më pak sesa 250 dollarë. Me këto para, një trafikant premton t’i ofrojë një personi pasaportë, kartë identiteti ose certificatë lindjeje të rreme brenda 10 ditëve.

Ky investigim u bë vetëm disa ditë pasi një nga sulmuesit e Parisit dyshohet të ketë hyrë në Evropë duke përdorur dokumenta të rreme siriane. Zhvillimi ngre frikën mbi kërcënimin potencial të sigurisë që vjen nga mijëra azilkërkues që mbërrijnë çdo ditë. Kjo është edhe arsyeja që disa shtete të SHBA-së refuzuan të marrin refugjatë sirianë.

Duke përdorur të njëjtin justifikim, edhe Polonia me Hungarinë e kontestuan sistemin e kuotave për të ndarë refugjatët mes shteteve anëtare. Pavarësisht premtimeve për të forcuar praninë e FRONTEX-it, vendet e BE-së kanë ofruar më pak se gjysmën e fuqisë punëtore që Agjencia Kufitare ka nevojë për të funksionuar siç duhet.

Leave a Reply