Drejtori i Institutit Robert Koch në Gjermani paralajmëroi se ekziston rreziku që përhapja e koronavirusit të dalë jashtë kontrollit. “Nuk e dimë si do të zhvillohet situata në Gjermani në javët e ardhshme.
E mundur është që të përjetojmë 10000 raste të reja në ditë,” pohoi zyrtari më i lartë i kontrollit të epidemisë në vend. Njoftimi i tij erdhi pas një rritjeje të ndjeshme të rasteve të reja.
Gjermania regjistroi më shumë se 4000 infektime me koronavirus në një periudhë 24-orëshe – duke shënuar shifrat më të larta të regjistruara që nga kulmi i pandemisë në pranverë. “Shifrat flasim për një ndryshim shqetësues,” tha dhe Ministri i Shëndetësisë Jens Spahn në Berlin. “Thuajse asnjë vend tjetër në Europë nuk e ka menaxhuar krizën kaq mirë deri tani.
Por ne nuk duhet të vëmë në lojë atë që kemi arritur,” u shpreh ai, duke nënvizuar nevojën e madhe për respektimin e rregullave. Autoritetet e shëndetësisë nuk kishin regjistruar një numër kaq të madh të rasteve ditore që nga fundi i marsit dhe fillimi i prillit, kur Gjermania regjistronte shpesh më shumë se 6000 raste të reja në ditë. Infektimet filluan të rriten përsëri në korrik, një rritje që u lidh me njerëzit që u kthyen nga pushimet verore.