Stoltenberg: Aleatët e NATO-s largohen së bashku nga Afganistani

Aleanca veri-atlantike ka insistuar të enjten se pjesëtarët e saj do të konsultohen dhe do të vendosin së bashku se kur do të largohen nga Afganistani, pasi presidenti amerikan, Donald Trump është zotuar se do kthejë trupat amerikane në shtëpi për Festën e Krishtlindjes.

Trump ka bërë këtë njoftim përmes një postimi në rrjetin social, Twitter të mërkurën, duke përshpejtuar kohën për përfundim të luftës më të gjatë amerikane.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka përsëritur pozicionon afatgjatë të Aleancës duke thënë se ajo do t’i japë fund misionit në Afganistan, vetëm kur të krijohen kushtet.

“Ne kemi vendosur që të shkojmë bashkë në Afganistan, ne do ta marrim vendim për ndryshime së bashku, dhe kur të jetë koha, do të largohemi së bashku”, ka thënë Stoltenberg në një konferencë për media, pasi ka biseduar me kryeministrin maqedonas, Zoran Zaev.

NATO-ja është përfshirë në luftën në Afganistan pas pushtimit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara më 2001, për të rrëzuar regjimin taliban, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në tokën amerikane.

Aleanca veri-atlantike ka ndaluar operacionet e luftimit në Afganistan më 2014 dhe ka zvogëluar dukshëm prezencën.

Ajo ka tani atje 12,000 pjesëtarë për qëllime të trajnimit dhe këshillimit të forcave lokale./REL

Leave a Reply