Reshjet e shumta të shiut që kanë vijuar me intensitet përgjatë gjithë ditës kanë rënduar situatën në rrugët e qytetit bregdetar të Durrësit.
Në shumë akse, qarkullimi i automjeteve dhe këmbësorëve është thuajse i pamundur, pasi uji ka kaluar lartësinë mbi trotuare.
Situatë problematike raportohet në lagjen nr. 18, nr.1, aksi “Pavarësia”, rruga “Egnatia”, zona e Shkozetit etj, ku niveli i ujit rrezikon të vërshojë edhe në banesa. Pavarësisht se të dy hidrovorët janë në funksion me kapacitet të plotë, situata paraqitet e rënduar në qytetin bregdetar.
Ndërkohë që e njëjta situatë është regjistruar dhe në qytetin e Vlorës, ku dhjetëra akse janë pushtuar nga uji. Situata nga përmbytjet pritet të përkeqësohet duke qenë se reshje shiu janë parashikuar dhe për orët në vijim.