Nyja gordiane

Në sfondin e përpjekjeve për regjistrim të popullsisë po vërehet një marrëveshje politike për të dalur maqedonasit shumicë absolute dhe, me këtë, të fitojnë edhe një mandat si “cara të dërzhavës”! Po shqiptarët? Edhe më tej të kërkojnë lëmoshë shtetësinë, në shtetin e vet, të cilin pretendojnë se e drejtojnë politikisht

Shkruan Ilir Ramadani

Shteti ynë i përbashkët, kjo Maqedoni Veriore, që nga 1945 e këndej, gjithnjë ka qenë shtet i eksperimenteve të mëdha antishqiptare. Janë të pamohueshme faktet se, viteve 1980 e këndej, deri në pavarësinë e vet, eksperimentet antishqiptare fillimisht ushtroheshin në Maqedoni e pastaj shtriheshin gjithandej ish-Jugosllavisë. Nuk dua ta përshkruaj historinë dhe mijëra argumente që e faktojnë këtë tezë, por, pas konfliktit të kurdisur të vitit 2001 e këndej, jemi shndërruar në sinonim të inferioritetit si dhe në fajtorë të gjithçkafit që ka ndodhur këtu. Greqia problem, maqedonasit superioritetin e vet e ushtronin mbi ne shqiptarët. Tani Bullgaria problem dhe, druaj se sërish do të ushtrohen muskujt maqedonase mbi kombin shqiptar të Maqedonisë Veriore.
Po, Maqedonia Veriore dhe jo Maqedonia e Veriut! Maqedonia Veriore, ashtu siç është edhe ajo Linodorja dhe Maqedonia Perëndimore që shtrihet përgjatë Pollogut e deri në Strugë! Këtë ndarje dhe këtë sallatë maqedonase nuk e kanë bërë shqiptarët por vetë patriotët maqedonasë. Jo vetëm gabim gjuhësor por edhe gabim gjeografik është t’i themi Maqedonia e Veriut, sepse, dihet se ku i bie Veriu. Deri më tani askush në Veri të Globit nuk ka zbuluar ndonjë Maqedoni. Prandaj maqedonasit i thonë “Severna Makedonija” dhe jo “Makedonija na Severot”, si e përkthejmë ne në shqip! Natyrisht, në këtë emërtim kanë fituar grekët, sepse e kanë ruajtur pjesën e vet, Maqedoninë Jugore! Dhe, krejt filozofia e marrëveshjes maqedonaso-greke ka qenë që Maqedonia si tërsi të ndahet në Maqedoninë Veriore që do t’ju takojë maqedonasëve dhe në Maqedoninë Jugore që do t’ju takojë grekëve. Ndërsa “Ilinditasit” këtë pjesë të Maqedonisë e quajn “e Veriut” dhe, në atë Maqedoni të Veriut, në pjesën e saj Perëndimore, vetëm një Zot e di se çfarë populli jeton!
Për ta zgjidhur problemin me Bullgarinë, tani i duhet që edhe një herë të dëshmohen si shtetëformues superior të kësaj Maqedonie dhe, pastaj, të përgatisim avash-avash opinionin se shqiptarët me natalitetin e tyre, së shpejti do të na e marrin shtetin. Pas njëqind viteve le t’ju takojë shqiptarëve, nuk ka problem

Shtetësia

Por, deri sa të bëhet Maqedonia Veriore që t’ju takojë edhe shqiptarëve, deri atëherë maqedonasit duhet të jenë ata që mund t’u japin shqiptarëve shtetësi dhe, kur të duan ata mund të na e marrin e kur të duan ata mund të na e japin! Shqiptari duhet të lutet që të marrë nënshtetësinë e Maqedonisë Veriore, lutje kjo që shqyrtohet me të dejtën diskrecionale nga maqedonasit. Nja shtatëdhjet mijë shqiptar pa shtetësi, të gjithë këta janë armiq potencial të Maqedonisë Veriore! Kjo është arsyeja e mosdhënies së shtetësisë. Shqiptari ka lindur këtu, është shkolluar, ka mbaruar ushtrinë, ka paguar të gjitha taksat dhe, më në fund shpallet armik i shtetit, do me thënë pa të drejtë për shtetësi, do me thënë, nesër, pa të drejtë për mjekim shëndetësor e pa pension. Edhe ky element, ngjashëm si elementi i gjuhës shqipe, maqedonasit i nxjerr në breg të diellit si popull që angazhohet për federalizim të shtetit. Nuk ta do gjuhën në pjesën maqedonase, nuk të do si shqiptarë në restoran e në kafiteri si shqiptarë (plot raste në Prilep) nuk ta do trashëgiminë kombëtare e fetare. Do me thënë, në pjesën ku maqedonasit janë shumicë nuk duhet të ndërtohen xhamitë e kallura prej maqedonasëve, trashëgimia shpirtërore myslimane duhet të ortodoksitohet! Nuk të do në njësitet e specializuara ushtarake. Dhe, për të gjitha këto angazhime federalizimi fajtorë janë shqiptarët! Dhe i duhet një fajtor i këtillë Maqedonisë Veriore, prandaj duhet të bëhet ky regjistrim politik. Do të jetë i pabesueshëm çfarëdo regjistrimi që nuk bëhet nga regjistruesit e përzier në numër të barabartë, sa shqiptarë aq edhe maqedonasë dhe të tjerë. Dhe, të gjithë të bëjnë të njëjtin regjistrim, të gjithë t’i mbajnë të njëjtat shënime, të bëhen dëshmitarë se sa jemi dhe ku jemi!

Administrata shtetërore

Ashtu siç angazhohet administrata shtetërore në votime, ashtu të angazhohet edhe për regjistrim. Le të praktikohen, le të kryejnë kurse. Nuk do të kemi numër të mjaftueshëm shqitarë adimistratorë? Plotë dy dekada i lanë të rrinë nëpër shtëpia, rreth 2000 administratorë shqiptarë, të punësuar, të paguar me rrogë por duke qëndruar nëpër shtëpia. Administratorë pa asnjë ditë pune në administratë. Edhe nëse nesër i kthejnë në administratë, do ta shpikin një testim mbi aftësitë administrative dhe, serish, që të gjithë do t’i largojnë. Që mos të ndodhë kjo, dikujt (politikanëve shqiptarë) iu kujtua që këta administratorë shtëpiakë t’i angazhojnë nëpër firma private, nëpër institucione të ndryshme, kot e kot, mundet edhe nallban, edhe kovaç, edhe saldatorë, me rëndësi të paraqitet dikush që do t’i marrë dhe kontributet e tyre do t’i mbulojë vetë shteti, nga buxheti i vet!
Po këta shqiptarë u punësuan si pjesë e administratës që ishte gati etnikisht e pastër maqedonase, dhe jo që me fatin e tyre të luajë turlifarë Artoni e Kartoni. Këta administratorë duhet që triumfalisht të kthehen nëpër vendet e tyre të punës, sepse kur u pranuan që të gjithë kishin të sistematizuar edhe vendet e tyre të punës. Por, nuk i pranonin në zyrë, sepse, shqiptarët po ua ndotnin ambientin e zyres, u vinte zyreve era shqiptarë, prandaj, le të hapet një administratë tjetër ekskluzivisht me shqiptarë, le të mblidhen në një godinë barokiane që ruhet në kulm nga të shenjtit ortodoksë, sepse kjo do t’ua lidhë si me magji e do t’ua bëjë nyje gordiane angazhimin e tyre “kombëtar”!

Kuaziambasadori apo “diplomatikusi” autodidakt

Se nuk respektohet kurgjë shqiptare apo myslimane në këtë shtet dëshmon edhe një fakt e që i përket BFI-së! Gjithnjë kanë luajtur lojëra politike mbi kurrizin e BFI-së që kur e shpalli pavarësinë nga Bashkësia Islame e Jugosllavisë! Askujt nuk i ka konvenuar që në Maqedoninë Veriore të ketë Bashkësi Fetare Islame, madje aq të fuqishme. Të gjithë armiqtë e BFI-së gjithnjë kanë qenë të mikluarit e pushteteve maqedonase. Për çdo armik të BFI-së është kërkuar masa dhe ndërhyrje të institucioneve gjegjëse të shtetit por, gjithnjë janë refuzuar, ndërsa problematikët janë “shpërblyer”! Nuk dua këtu ta shpalos anën e errët nëpër të cilën ka kaluar BFI-ja nga pavarësimi i vet e deri në maj të vitit 2020 (tani e ka në duar pushteti aktual). Por, ja, ta nënvizoj vetëm një fakt! Para do dite lexova një shkrim në të cilin ishin përfshirë dy kërkesat zyrtare të BFI-së, drejtuar pushtetit si dhe liderëve të partive që kishin arritur koalicionin qeveritar. Letrat kishin të bëjnë, veç të tjerash, edhe me ankesën e BFI-së për sa i përket një “nëpunësi shtetëror” në administratën e ministrisë së punëve të jashtme. Ishin ankuar sepse “diplomatikusi” po vidhte para nga donatorët për të shtruar iftare për myslimanët e vendit, po raportonte zi e më zi nëpër disa vende arabe kundër BFI-së, po keqpërdorte pozitën për të bashkëpunuar me lloj lloj agjencishë turistike për përfitime personale, ishte bërë palë me dreqin vetëm e vetëm ta dëmtojë sa më rëndë BFI-në. Këtë aktivitet si duket e kishte mision shpirtëror. Këtë problem, BFI e kishte argumentuar me fakte. Pushteti, do ta shpërblejë atë dhe nuk do ta ndëshkojë për veprat e tij antiislame në Maqedoninë Veriore. Do ta angazhojë ambasador në një shtet arab. Dhe ky tani, ky farë kuaziambasadori, bashkë me kryerrënuesin e BFI-së dhe shkelësin e të gjitha akteve normative të BFI-së, priten e instruktohen në kabinetin e Presidentit të Shtetit. Këto ditë, këta dy armiq të BFI-së mundohen të nxjerrin ndonjë para nga arabët, sepse, po afrohen zgjedhjet! Partive të “diplomatikusit” i duhen para, sepse, është droje që të humbet pushteti. Prandaj, për ta ruajtur pushtetin, nuk e kemi problem që të konvertohemi në myslimanë, të gjithë, deri në një, vetëm të bëjmë para arabe dhe t’i fitojmë zgjedhjet. Duhet t’ia thyejmë hundën edhe “bullgarëve”, t’i detyrojmë ta ndërrojnë historinë, se e kanë keq! Janë bërë më të këqinjë se këta shqiptarët tanë! Kështu thonë ata që armiqtë e BFI-së i ngrisin në karriera sa hap e mbyllë sytë. Është mirë të paktën këta tanët t’i hapin sytë dhe të zgjohen nga gjumi letargjik, sepse, sepse nuk mund të jetë gjithmonë vetëm dimër…(Lajme7)

Leave a Reply