Ceremonia e sotme me rastin e 40 vjetori të formimit të njësitit “Tigrat”, ku prezent ishte edhe zëvendëskryeministri Artan Grubi ka shkaktuar reagimin e SHVL-UÇK-së, nga ku shtrojnë pyetjen se interesat e kujt i përfaqëson dhe mbron Artan Grubi.
“Republika e Maqedonisë së Veriut me 8-të shtatorë do të kremtoj 30 vjetorin e themelimit të saj shtet demokratik. Ndërsa sot u kremtua 40-të vjetori i Njësisë Speciale “TIGRAT”!!! Brezi i ri mund të mos e dinë, por ju që jeni gjeneratë e asaj kohe me siguri e dini dhe e mbani mend mirë kush dhe pse e formoi këtë njësi. Në marsin e vitit 1981, pak ditë pasi morën hove demonstratat studentore në Kosovë, me vendim të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë u dha urdhër që urgjentisht të formohet një njësi special për të penguar frymën revolucionare të shqiptarëve, të ndërpresin hovin e demonstratave dhe të likuidojnë fizikisht autorët e “Albanskiot nacionalizam, iredentizam i separatizam”, gradat e tyre janë meritë e dhunës së ushtruar ndaj arsimtarëve shqiptar të diferencuar, arrestimeve me qindra studentë, vrasja e Rexhë Malës, Nuhi Berishës, hedhja e bombave helmuese që helmuan Ylfete Humollin”, thuhet në reagimin e SHVL-UÇK.
Në reagim përmenden edhe ngjarjet e Universitetit të Tetovës dhe ato të Gostivarit.
“Po kjo njësi speciale luftoi Universitetin e Tetovës dhe vrau Abdyselamin, po kjo njësi speciale përdhunoi flamurin tonë kombëtar duke vrarë, arrestuar dhe maltretuar shqiptarët në ngjarjet e Gostivarit. Po kjo njësi speciale vrau shokët tanë të luftës. Me çfarë fytyre, a kanë ndërgjegje këta njerëz?!!! Njëri zëvendës kryeministër e tjetri zv. Ministër që gojën e kanë plot UÇK, sot u përkulën para ujqve e qenve, duke pranuar dekoratë për lojalitet…Parashtrohet pyetja, cilin popull e përfaqësojnë Artan Grubi dhe Naziim Bushi, a thua interesat i kujt i mbrojnë, kur pranojnë dekoratën e larë me gjak shqiptari? Vallë, kujt i keni shërbyer në vitin 2001 që sot në 2021 dekoroheni nga vrasësit e shqiptarëve”, thuhet në reagimin e SHVL-UÇK./Alsat