Krahu i armatosur i grupit palestinez të rezistencës Hamas paralajmëroi Izraelin të martën për sulmet e tij ndaj banorëve palestinezë në Kudsin Lindor të okupuar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Brigadat Izz ad-Din al-Kassam nuk do të qëndrojnë duarkryq përballë sulmeve në lagjen Sheikh Jarrah, thuhet në deklaratën me shkrim të komandantit të brigadave Mohammed Deif, i cili është i kërkuar nga Izraeli për një kohë të gjatë.
Të hënën, 10 palestinezë u plagosën në një përleshje me policinë izraelite në Kudsin Lindor gjatë një demonstrate solidariteti me banorët e lagjes Sheikh Jarrah, sipas Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze.
Gjykata Qendrore e Izraelit në Kudsin Lindor miratoi një vendim për dëbimin e shtatë familjeve palestineze nga shtëpitë e tyre në favor të kolonëve izraelitë që nga fillimi i këtij viti.
Që nga viti 1956, gjithsej 37 familje palestineze kanë jetuar në 27 shtëpi në lagje. Megjithatë, kolonët e paligjshëm hebrenj janë përpjekur t’i dëbojnë ata mbi bazën e një ligji të miratuar nga parlamenti izraelit në vitin 1970.
Palestinezët thonë se ata ndërtuan shtëpitë e tyre në vitin 1956 në bazë të marrëveshjes me qeverinë jordaneze dhe Agjencinë e OKB-së për refugjatët UNRWA.
Qindra mijëra palestinezë u detyruan të largoheshin nga fshatrat dhe qytetet e tyre në Palestinën historike në vendet fqinje, përfshirë Jordaninë, Libanin dhe Sirinë në vitin 1948.
Banorët e pjesës tjetër të palestinezëve e gjetën veten të zhvendosur në Rripin e Gazës dhe në Bregun Perëndimor pas sulmeve në rritje nga bandat sioniste për të hapur rrugën për krijimin e shtetit të Izraelit.
Palestinezët përdorin termin “Nakba” në arabisht ose “Katastrofa”, për t’iu referuar dëbimeve të vitit 1948 nga bandat sioniste.
Konflikti palestinezo-izraelit daton që nga viti 1917 kur qeveria britanike, në Deklaratën e famshme të Balfourit kërkonte “që në Palestinë të krijohet një atdhe kombëtar për popullin hebre”.