Anija më e madhe e flotës iraniane u fundos të enjten në ujërat e vendit për shkak të një zjarri që nuk raportohet se çfarë e shkaktoi. Në raste të ngjashme në muajt e fundit, Irani e ka drejtuar gishtin e fajit drejt shteteve kundërshtare, si Izraeli.
Irani humbi të mërkurën anijen më të rëndë të flotës së vet, prej zjarrit që u përhap në mjet për shkaqe ende të panjohura.
Personeli u arrit të evakuohej me sukses në orët e pasmesnatës, por operacionet e gjera të shpëtimit nuk e evituan dot fundosjen e anijes së madhe gati 20-mijëtonëshe.
Mjeti ra afër portit të Xhaskut, rreth 1,270 km nga Teherani por afër Ngushticës së Hormuzit ngjitur me shtetin arabik të Omanit.
Anija që mbante emrin e terminalit kryesor të naftës të Iranit lundronte prej vitit 1977, një prodhim britanik dhe që kryesisht përdorej me qëllimin për të furnizuar anijet e tjera ose si pikë uljeje për helikopterët.
Ndërsa zyrtarisht nuk raportohen shkaqet e zjarrit, Irani këtë vit ka regjistruar disa incidente të ngjashme në ujërat territorialë.
Në muajin prill, një nga mjetet lundrues të vendit mori flakë në Detin e Kuq pasi u raportua se u sulmua me mina deti.
Prej muajit shkurt, si Irani, edhe Izraeli kanë rritur tensionet dhe qarkullojnë akuza të ndërsjella se secila palë qëndron pas aksidenteve të tilla.