Shikoni se çka njohton Shaqir Fetai! Ky farë “reformator” i leshit, “organizon tubimin e kurbanave të gjallë, respektivisht bëhet tubimi i mjeteve në nivel të çmimit të kurbanit, ku pastaj blehen dhe theren kurbanat. Ndërkaq mishi i kurbanave do të përdoret për nevojat ushqimore në Konvkitin-kuzhinën e Medresesë “Isa Beu” në Shkup!” Një model njoftimi i denjë vetëm për komunitetin pa asnjë ditë shkolle
Shkruan Uran Memeti
Shaqir Fetai, duke manipuluar në emër të Rijasetit, lëshon një njohtim “të këtij organi kolektiv” (i cili nuk është mbledhur dhe nuk ka debatuar lidhur me temën e njohtimit), përmes së cilës na tregon se kur i bie dita e Kurban Bajramit dhe, na njohton lidhur me rolin e ri të BFI-së!
Shaqir Fetai, ngjashëm si pula kur i vie veza te b…, na njohton se BFI-në e paska shndërruar në shesh-tubim të kuarbanëve të gjallë, në kasaphane, në fermë dhenësh dhe në shoqatë humanitare. Kushdo që do të presë kurban, të mos mundohet fare, le të heq dorë nga “traditat prapanike” që nga hera na ka ngelur që të presim kurban dhe ta shpërndajmë mishin sipas “listës sonë”. Pra, kurbanin le ta paguaj te Shaqir Fetai, 120 euro, sepse ky do t’i blejë kurbanët, le të jenë edhe 4000 kurbanë, ky do t’i presë, do të shikojë se sa ka nevojë menza e nxënësve të Medresesë Isa Beu dhe, nëse tepron mishi, do ta shpërndajë nëpër nevojtarë!
A mos ka lajthitur fare Shaqir Fetai, apo, do të tregojë se BFI-ja ka nisur me një punë të re, e cila, bën pjesë në “reformat e tij” që po i bën në BFI!!!
Si e para, deri më sot nuk është lexuar asnjë raport i përgatitur nga BFI-ja lidhur me kurbanët. Myslimanët e vendit nuk dinë se sa kurbanë janë therrur vjet, parvjet, para-parvjet, edhe më herët! Ky aktivitet fetar është misterioz, është aq mistik sa, ka nisur t’i ngjajë ritualeve të sekteve ekstreme. Askush nuk di se sa mish shpenzohet në mezen e nxënësve, sa mish shpërndahet, ku shpërndahet ai mish, kush mori nga ai mish, jo që na intereson, por, thjesht, për t’u bërë transparent aktiviteti dhe të shihet se mishi nuk ka shkuar nëpër shtëpitë e nëpunësve të BFI-së, siç shkon rëndomë, madje ka nëpunës që nga 100 pako me mish i “magazinon” në shtëpi të vet, ndërsa i jepen për t’ia shpërndarë gezetarëve, redaksive të cilat pastaj duhet ta mbyllin gojën në raport me punët devijante të BFI-së.
Askush nuk di se ku ruhet mishi, kush paguhet në ruajtjen e atij mishi, a është therrtorja hallall, a janë frigoriferët hallall. Me çfarë frigoriferësh shpërndahet mishi, a arrinë të shpërndahet pa u prishur në tërë territorin e Maqedonisë së Veriut, apo, ju jepet edhe i prishur siç ka ndodhur më herët.
Pse, bie fjala, Shaqir Fetai nuk del me një “studim” dhe t’iu drejtohet opinionit të gjërë mysliman në vend. T’iu thotë se për sa mish ka nevojë BFI-ja që t’i deponojë për nevojat e nxënësve të Medresesë, për një vit! Pse nuk del të thotë se në Maqedoninë e Veriut sivjet kemi targetuar kaq familje të varfër të cilëve do t’u japim mish nga kurbanët e therrur. Pse nuk kërkon të mblidhet kjo sasi e mishit por kërkon para, madje nga 120 euro. Po nëse në ditën e blerjes së kurbanëve do të ngriten çmimet dhe një kurban mund të kushtojë mbi 120 euro, çfarë do të bëjë pastaj Shaqir Fetai?!
Pse nuk i thërret Shaqir Fetai shoqata humanitare në vend dhe, secila të vijë me listën e të varfërve, të ngarkohet me mish dhe ata të bëjnë shpërndarjen e mishit, pa pasur nevojë që të angazhohet BFI-ja dhe, madje, ta shpërndajë mishin te të varfërit sa më shpejt dhe pa asnjë shpensim!
Pse të mos ketë besim ndaj shoqatave humanitare në vend, ndërsa mendon se do t’i besojnë atij, kur tashmë ka dhënë mjaft prova se është një prej “myslimanëve” më antiislam në vend!
Ne, banorët e një pallati ku banojnë rreth 50 familje, kemi komunikuar mbrëmë përmes “grupit” në WatsApp dhe, kemi vendosur që të merremi vesh që, në rast se therrim kurbanë sivjet, t’i blejmë vetë, t’i therrim vetë te livadhi prapa pallatit, me tekbire e me të gjitha ritualet fetare islame dhe, pasi t’ia bëjmë aminin, me shpejtësi secili kurbanin e vet, ta dërgojë në oborrin e Bashkësisë Fetare Islame, pastaj Shaqir Fetai le t’ia mendojë rjepjes së kurbanëve dhe le ta shpërndajë mishin sipas “listave” të tij. Edhe ne do të jemi të kënaqur, sepse do të jemi dëshmitarë të gjallë të therrjes së kurbanëve tona, që mund t’i blejmë edhe nga 80 euro copën dhe, edhe do të jemi më të rehatshëm, sepse do të jemi të bindur se mishin e kurbanëve tanë, sipas Shaqir Fetait, do ta hanë nxënësit e Medresesë dhe familjet e varfëra në vendin tonë. Këtyre hallall kat mbi kat, por ama, nëse mishin tonë do ta hanë nëpunësit e BFI-së, haram deri në ditën e kjametit!
Nga Shaqir Fetai, sivjet është pritur një njoftim tjetërfarësh, është pritur një aksion më i avancuar, është pritur një transparencë dhe një aktivitet që do ta shtojë më shumë besueshmërinë dhe, jo një njohtim që na ofendon, duke e degraduar BFI-në në “kasapnicë” dhe në shoqatë që “e ruan” mishin në kushte vere, deri në shpërndarjen e tij!
Mosmbajtja llogari ndaj amanetit, moskryerja e amanetit dhe, përpjekja për të përfituar nga një aksion islam që kryehet për Allah dhe që u dedikohet të varfërve, pa dyshim që është një haram i madh. Shaqir Fetai po jep isharete se do të kryej pikërisht këtë haram të madh!