AAK përmes një komunikate për shtyp, ka thënë se nuk mund ta komentojë versionin zyrtar të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, pa e parë atë. Departamenti amerikan i Shtetit ka vlerësuar sot se shenjimi i vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, është në përputhje me Kushtetutëne Republikës së Kosovës.“Pavarësisht prej kësaj, ka një numër jo të vogël të ekspertëve të kësaj fushe, që nuk janë përsona partiakë, që kanë gjetur parregullsi të mëdha në shënjimin e kufirit me Malin e zi. Për më tepër edhe vetë Mali i zi, në disa raste e ka shprehur gatishmërinë që të korrigjohen gabimet që janë bërë”, thuhet në komunikatën e AAK-së. Është pikërisht kjo parti politike në opozitë, e cila ka kundërshtuar fuqishëm marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.“Askush nuk duhet të frikësohet nga përsëritja e një procesi të detajuar të demarkacionit me Malin e zi, sepse gabimet gjithmonë janë të mundshme dhe në rastin konkret, është evidente se ato janë bërë”, thuhet mes tjerash në deklaratën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.Shenjimi aktual i kufirit me Malin e Zi po kundërshtohet edhe nga dy subjektet tjera politike në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma për Kosovën, të cilat thonë se ” marrëveshja dëmton tërësinë territoriale të Kosovës”.
Së bashku me marrëveshjen për ngritjen e Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe në Kosovë, marrëveshja për demarkacionin është përmendur nga opozita, si arsye për bllokimin prej tre muajsh të punimeve të Kuvendit të Kosovës.